Duan të “kryqëzojnë” Koço Kokëdhimën. Kundërpërgjigjet “superdeputeti” i PS

 

PD pretendon se deputeti socialist Koço Kokëdhima ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike përmes kompanisë së tij “Abissnet”. Për këtë opozita kërkon heqjen e mandatit të deputetit të Vlorës dhe një prej njerëzve më pranë kryeministrit Edi Rama. PD ka bërë gati mocionin parlamentar kundër Kokëdhimës, i cili pritet të firmoset nga më shumë se 1 e 10 e deputetëve të Kuvendit. Kokedhima nuk është deputet që "hahet" kollaj si dikur Ilir Beqja. Kokedhima është një biznesmen i fuqishëm, që ka edhe media, ka edhe shumë miq gjithëandej, bile edhe në opozitë e në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendos nëse ka shkelur Kushtetuten apo jo.

Ne nje deklarate per mediat  Kokedhima thote se nga 6 shkurti 2014 nuk ka asnje lidhje me kete shoqeri per te cilen akuzohet nga PD. Si deputet, thote Koço , nuk kam lidhur asnje kontrate te "Abissnet" me  institucione qe marrin para nga buxheti.

Megjithatë, ai shprehet se kontratat e kësaj kompanie, për të cilat u akuzua nga ana e PD-së, janë nënshkruar që në kohën kur në pushtet ishte Berisha.  Kokedhima beri kete deklarate per mediat:

“Dëshiroj të sqaroj opinionin publik në lidhje me shpifjet e bëra sot nga Partia Demokratike dhe kërkesën e kësaj partie për heqjen e mandatit tim si deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, me pretendimin absurd se paskam përfituar fonde publike nëpërmjet kompanisë “Abissnet sh.a”.

Në lidhje me këtë çështje dëshiroj të sqaroj opinionin publik se nga muaji Shkurt i vitit 2014 nuk kam asnjë lidhje me kompaninë “Abssinet sh.a”. Nga data 06.02.2014 i kam shitur të gjitha aksionet që kam pasur në këtë kompani, fakt ky që mund të vërtetohet fare lehtë nga QKR. Për kontratat e lidhura nga “Abissnet sh.a” me subjekte publike apo private për ofrimin e shërbimit të internetit, përpara se unë të zgjidhesha deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kohë kur unë isha aksionar i kësaj shoqërie, çdo gjë është bërë në mënyrë transparente, konform ligjit dhe çdo kontratë është lehtësisht e verifikueshme.

Kontratat, për të cilat aludon opozita, janë lidhur në janar të vitit 2013 me qeverinë Berisha, në kohën kur unë nuk isha zgjedhur deputet. Nënshkrimi i këtyre kontratave parashikon një kohëzgjatje 12 mujore. Kjo do të thotë që kjo shoqëri nuk mund të zgjidhë kontratat me subjektet përkatëse, vetëm sepse një aksionar bëhet deputet. Shoqëria “Abissnet sh.a” nuk mund të prishte në mënyrë të njëanshme kontratat që kishte lidhur me institucione të ndryshme shtetërore.

Dëshiroj të sqaroj opinionin publik se shoqëria “Abissnet sh.a” nuk ka lidhur asnjë kontratë të re me institucione shtetërore dhe nuk ka përfituar as edhe një qindarkë nga buxheti i shtetit që nga koha kur unë jam zgjedhur Deputet i Republikës së Shqipërisë e deri në momentin që kam shitur aksionet.

 

Partia Demokratike ka paraqitur sot pretendimit se shitja e aksioneve në Shkurt të vitit 2014 është bërë me një kontratë jo noteriale. Unë ftoj të gjithë opinionin publik dhe në veçanti përfaqësuesit e opozitës që të lexojnë ligjin për shoqëritë tregtare aksionare, i cili e shpreh fare qartë se shitblerja e aksioneve është e lirë dhe mund të bëhet në një nga format që parashikon ligji, siç kam vepruar unë dhe siç e ka konfirmuar edhe QKR, e cila në datën 07.02.2014 ka njohur transferimin e pronësisë së aksioneve të mia tek aksionerët e tjerë.

Shpreh keqardhjen që opozita merret me shpifje dhe aludime, duke tjetërsuar çdo të dhënë dhe informacion në lidhje me personin tim. Kjo strategji e opozitës për të shpifur ndaj personit tim do të marrë një përgjigje të drejt për drejtë dhe konkrete nga unë si në çdo rast edhe këtë radhë. Jam i hapur për çdo pyetje, sqarim, dokument dhe çështje në interes të opinionit publik. Gjithashtu jam i hapur ndaj çdo procedure që do të gjykojë të arsyeshme Parlamenti i Republikës së Shqipërisë”, thotë Kokedhima në reagimin e tij.

DEKLARATA PER MEDIAT E DEPUTETES JORIDA TABAKU

Partia Demokratike ka arritur në konkluzionin, bazuar mbi fakte e dokumenta, pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga departamenti anti-korrupsion në PD, se deputeti Koço Kokëdhima ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike nga pasuria e qytetarëve të vendit. Kjo është rreptësisht e ndaluar nga Kushtetuta dhe sjell automatikisht përfundimin e mandatit të tij. Jam këtu për tu informuar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo ka dorëzuar kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Koco Kokëdhima, bazuar në Kushtetutën e vendit.

Ne kemi arritur në konkluzionin, bazuar mbi fakte e argumenta e pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga departamenti anti-korrupsion në Partinë Demokratike, se deputeti Koco Kokëdhima ka përfituar fonde publike nga pasuria e qytetarëve të vendit. Kjo është rreptësisht e ndaluar nga Kushtetuta dhe sjell automatikisht përfundimin e mandatit të tij. Eshtë provuar nga ne, se deputeti përfiton fonde publike prej shtatorit të vitit 2013.

Ka qënë media e para qe ka zbuluar disa detaje të këtyre kontratave dhe me pas ekspertët e departamentit te antikorupsionit kanë bërë hetime të hollësishme në thesarin e shtetit nga ku ka rezultuar se ‎janë të pakten 150 raste të kalimit të parave në llogaritë e deputetit Kokëdhima. Vijmë këtu, bazuar në nenin 69, 70 dhe 71 të Kushtetutes ku parashikohet qartë se mandati i deputetit përfundon në rast se ai ka përfituar fonde publike. Provat janë të qarta, janë të depozituara në Kuvend dhe ne i kërkojme Kryetarit të vërë në lëvizje një orë e më parë kerkesen tonë dhe të zhvilloje procedurat e parashikuara nga ligji, rregullorja, kushtetuta dhe Vendimi i Gjykates Kushtetuese, si në rastin e deputetit Ilir Beqja. Kërkesën e plotë, me rastet e detajuara të marrjes së fondeve, prat ë shkeljes së Kushtetutës, do ta keni të gjithë ju përfaqësuesit e medias, pasi menjëherë do ta shpërndajë zyra e shtypit e Partisë Demokratike.

 

KERKESA PER MOCION

DREJTUAR:   Kuvendit të Shqipërisë

KËRKUES: Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike – më shumë se 1/10 e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë

LËNDA: Kërkohet  ndjekja e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetin Koço Kokëdhima.

BAZA LIGJORE: Nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 7 e 13 të Rregullores së Kuvendit dhe neni 28 i Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005  “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Që në muajin Gusht 2014, janë bërë publike fakte që provojnë se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z. Koço Kokëdhima, ka ushtruar mandatin e deputetit në kundërshtim me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës, duke tërhequr fonde nga Thesari i Shtetit në llogari të kompanisë së tij private. Opozita parlamentare ka pritur që në përputhje me betimin e bërë përpara deputetëve dhe qytetarëve shqiptare për zbatimin e Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të vepronte menjëherë, për përmbushjen e detyrimit kushtetutes, dhe dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese. Fatkeqësisht konstatojmë se rruga e zgjedhur nga Kryetari i Kuvendit dhe shumica parlamentare është ajo e injorimit të fakteve dhe mbylljes së syve para një skandali të tillë.

Në mungesë të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese nga ana e Kryetarit të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (mëë shumë se 1/10 e anëtarëve të Kuvendit), në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, në përputhje me nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, dhe neneve 7 e 13 të Rregullorës së Kuvendit, paraqet këtë mocion, me anë të të cilit kërkon ndjekjen e procedurave të konstatimit të papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima

Është në detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe legjislacionin e miratuar nga vetë Kuvendi, duke paraqitur dhe miratuar mocionin për dërgimin e cështjes për shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë në ushtrimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Në këtë rast Kuvendi është i detyruar që të ndjek standardin kushtetues dhe precedentin parlamentar të rastit “Beqaj”, të provuar edhe nëpërmjet vendimit nr. 44/2011 të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i deputetit Koço Kokëdhima është disa herë më i rëndë se rasti i deputetit Ilir Beqaj, pasi janë me qindra rastet e përfitimit të parave nga Buxheti i Shtetit, e për pasojë duhet të  kishte alarmuar Kryetarin e Kuvendit dhe mazhorancën parlamentare, per të marrë masat e duhura ligjore, për të vepruar me shpejtësi dhe pa asnjë vonesë, në përmbushjen e detyrimit kushtetues.

I. FAKTE DHE RRETHANA

Nga analiza e dokumentave zyrtare rezulton se deputeti Koço Kokëdhima nëpërmjet shoqerise së tij “Abissnet sh.a.” ka përfituar fonde publik nga realizimi i veprimtarisë fitimprurëse të kompanisë së tij me organet publike, në kundërshtim me nenin 70/3 të Kushtetutës. Disa nga fondet publike të përfituara nga shoqëria tregtare në pronësi të deputetit Koço Kokëdhima paraqitet në linkun e mëposhtëm: http://ëëë.spending.data.al/sq/treasury/list/faqe/1/year/2014/perf_id/ABISSNET.

Duke nxituar të fshihnin këtë fakt të rëndë dhe shkelje flagrante të Kushtetutës, shoqëria “Abissnet sh.a.” në një deklarim për mediat u shpreh se: “Z. Koço Kokëdhima ka qenë aksionar në shoqërinë Abissnet sh.a deri më datë 06.02.2014, datë në të cilën ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër juridik”. Në fakt një deklarim i tillë “përputhet” edhe me ekstraktin e QKR (një kopje të të cilit e gjeni bashkëlidhur), ku pasqyrohet se më datë 07.02.2014 është regjistruar cështja CN-352180-02-14, e cila ka të bëjë me: “Depozitimi i vendimit të Asamblese së përgjithshme të ortakëve të shoqërisë 2K GROUP ku është vendosur – Blerja e 100% të aksioneve të shoqërisë ABISSNET sha. Depozitimi i kontratës  jo noteriale datë 06.02.2014 për kalimin e aksioneve dhe si rrjedhojë shoqëria 2K GROUP mbetet me ortak të vetëm shoqërinë 2K GROUP”.

Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme se veprime të tilla janë kryer pas bërjes publike të fakteve për përfitimin e fondeve publike  (“shitja” është bërë me anë të një kontrate jo noteriale), për të cilat do të hetojnë organet kompetente, por përsëri në të dyja rastet jemi përpara një shkelje që passjell mbarimin dhe pavlefshmërinë e mandatit të deputetit në kuptim të shkronjës “c” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur vërtetohet një nga kushtet epapajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3”.

Është plotësisht e provuar nga dokumentat e Thesarit të Shtetit se shoqëria “Abissnet sh.a.” në pronësi të deputetit Koço Kokëdhima, ka përfituar fonde nga Buxheti i Shtetit[1] në të paktën 150 raste.

Janë më shumë se 150 transaksione që janë paguar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë nga Thesari i Shtetit në xhepin e Koço Kokëdhimës si deputet, sikur të marrim të mirëqenë pretendimin e tij se qënka larguar në 2 Shkurt 2014!  Bashkëlidhur do të gjeni vetëm disa nga rastet e përfitimit të pagesave për shërbime të realizuara nga shoqëria tregtare “Abissnet sh.a.”, gjatë periudhës që z. Kokëdhima ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe përpara datës ku ai pretendon se ka “shitur” aksionet e tij (fatura të periudhës Dhjetor 2013 – Janar 2014).  Ky fakt përbën shkelje flagrante të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ku shprehimisht përcaktohet se është e ndaluar kryerja e veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe fitimi i pasurive të këtyre.

Janë më  shumë  se 150 raste që Koço Kokëdhima ka tërhequr para nga Thesari i Shtetit për kompaninë e tij. Prandaj, në këtë rast, Kuvendi është i detyruar të ndjek standardin parlamentar dhe kushtetues të vendosur me vendimin nr. 44/2011 të Gjykatës Kushtetuese.

Shoqëria “Abissnet sh.a.” në deklaratën e vet për median, si dhe në Ekstraktin e QKR-së të shpërndarë, deklaron se: “Z. Koço Kokëdhima ka qenë aksionar në shoqërinë Abissnet sh.a deri më datë 06.02.2014, datë në të cilën ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër juridik”. Sipas këtij deklarimi pranohet haptazi se deputeti Koco Kokëdhima ka zotëruar aktivisht aksione gjatë periudhës Gusht 2013 – Shkurt 2014, pavarësisht se ka qenë i mandatuar si deputet (fakt ky që provohet edhe nga Ekstrakti i QKR-së). Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, që passjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 71/2/c të Kushtetutës, ku parashikohet se: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3.

II. LIGJI KUSHTETUES DHE PRECEDENTI PARLAMENTAR E KUSHTETUES

Neni 70 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se:

“1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. 2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të  papajtueshmërisë caktohen me ligj. 3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. 4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”

Neni 28 i Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, parashikon rastet e papajtueshmërisë me mandatit e deputetit:

“Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.”.

Nga ana tjetër, neni 71 i Kushtetutës parashikon se:

“1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. 2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të  parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.”.

Neni 13 i Rregullores së Kuvendit parashikon se:

“Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitet…. drejtohet nga Kryetari …Kuvendit dhe shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit….”.

Ashtu sikurse jeni në dijeni tashmë Kuvendi dhe Gjykata Kushtetutese kanë krijuar një precedent parlamentar dhe kushtetues në rastin e shqyrtimit të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqaj. Rasti që paraqitet për shqyrtim i deputetit Koço Kokëdhima është identik për nga shkaku, por disa herë më i rëndë për nga lloji i shkeljes.

Me vendimin nr. 44/2011 (rasti i deputetit Ilir Beqaj), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, është shprehur se:

“Papajtueshmëria me funksionin e deputetit nënkupton që deputeti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër përveç atij të anëtarit të parlamentit ose anëtarit të qeverisë. Në thelb papajtueshmëria përqendrohet në dy aspekte: e para lidhet me ndalimin për të mbajtur dy funksione publike, e dyta, me ndalimin për të mbajtur një funksion publik dhe një privat me karakter ekonomik (ose jo). Në të dyja rastet, ndalimi për të mbajtur dy funksione/detyra synon parandalimin e mbivendosjes së kompetencave të ndara tek i njëjti person ose organ dhe në këtë mënyrë moscenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe si rrjedhojë të shtetit të së drejtës. Gjithashtu, ndalimi i ushtrimit të më shumë se një funksioni/detyre parashikohet për të garantuar edhe angazhimin e plotë dhe pa rezerva të funksionarit në kryerjen e detyrës së marrë përsipër prej tij, gjë e cila mund të reduktohej ose të bëhej e pamundur për shkak të angazhimit të veçantë që kërkon kryerja e njëkohshme e dy detyrave nga funksionari.

Instituti i papajtueshmërisë mbron ushtrimin e mandatit të dhënë dhe garancitë e paanshmërisë së të zgjedhurit. Ai konsiston në pamundësinë juridike për të mbajtur një detyrë për të cilën subjekti është zgjedhur në mënyrë të vlefshme ose të zhvillojë disa aktivitete të caktuara të konsideruara nga ligjvënësi si të papajtueshme me mandatin elektoral. Për papajtueshmërinë, si koncept ndalues i kryerjes së më shumë se një detyre/funksioni, nuk është e rëndësishme nëse funksionari bie në kushtet e përfitimit për shkak të detyrës ose jo ose në konflikt interesi midis detyrës së tij dhe interesave privatë. Vetëm fakti i ushtrimit të dy funksioneve/detyrave (publike-publike, publike-private) mjafton që ai të konsumojë këtë ndalim. Deputeti nuk duhet të kujdeset për të ardhurat e tij gjatë kohës që ushtron detyrën, me qëllim përmbushjen sa më mirë të funksionit për të cilin ai është zgjedhur.”.

III. ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE DHE RRETHANAVE TË SKANDALIT

Në analizë të neneve të mësipërme të Kushtetutës së Republikës dhe ligjeve të tjera, që Kuvendi të fillojë procedurat për konstatimin e mbarimit të mandatit të deputetit, duhet të plotësohen 2 kushte:

1- Deputeti pasi ka marrë mandatin të jetë pjësmarrës në një kompani fitimpruresë;

2- Kompania ku është pjesmarrës deputeti të ketë përfituar fonde publike.

Nuk ka rëndësi as sasia e aksioneve që deputeti të jetë pjesmarrës, nuk ka rëndësi as numri i kontratave që ka nënshkruar, nuk ka rëndësi as shuma e parave që ka marrë nga taksapaguesit për në xhepin e tij. Edhe sikur 1 USD të ketë përfituar pasi ka veshur kostumin e deputetit,  është i mjaftueshëm që Kuvendi t’ia kalojë cështjen Gjykatës Kushtetuese dhe më pas i takon asaj vlerësimii i provave.

Në rastin e deputetit Koço Kokëdhima, pas marrjes së mandatit, përfitimi nuk është 1 USD dhe transaksionet nuk janë 1, por të paktën 150. Janë 150 raste që paratë kanë dalë nga Thesari i Shtetit për në xhepat e kustumit të deputetit Koço Kokëdhima! Kaq mjafton që Kuvendi të nisë procedurat urgjente.

Ajo që parashikohet e qartë  në neni 70/2 i Kushtetutës është ndalimi i ushtrimit të funksioneve të tjera nga deputeti menjehere pasi merr mandatin e deputetit. Neni 70/3 e konsideron të papajtueshme me funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndalimet e tjera parashikohen me ligje të posaçme.

 

Nga këto dispozita rezulton se Kushtetuta jonë ia delegon ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë (neni 70/2). Ajo ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutbërësi, i cili ka patur si qëllim eliminimin e plotë të mundësive për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues. Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte dhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej. Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.

Neni 70/3 konsideron të papajtueshme me funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Nga dokumentacioni bashkëlidhur rezulton e provuar se shoqëria tregtare në pronësi të deputetit Koço Kokëdhima ka realizuar veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të faturuara në të paktën 150 raste, vetëm në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit dhe ka përdorur një kontratë jonoteriale për shitjen e aksioneve të tij. Ky fakt bie ndesh me ndalimin kushtetues të parashikuar nga neni 70/3 i Kushtetutës dhe është tërësisht i mjaftueshëm për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.

Nga ana tjetër, paragrafi 2 i nenit 70 të Kushtetutës parashikon shprehimisht se: “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.”. Një nga ligjet që parashikon edhe rastet e papajtueshmërisë me mandatit e deputetit është edhe ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Neni 28 i këtij ligji parashikon shprehimisht se:“Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.”.

Zotërimi i aksioneve në shoqërinë Abissnet sh.a deri më datë 06.02.2014, nënkupton që z. Kokëdhima ka qenë anëtar i Asamblesë së Aksionerëve, si një nga organet drejtuese të shoqërisë. Ky veprim përbën shkelje flagrante të ndalimit të parashikuar nga shkronja “a” e nenit 28 të ligjit nr. 9367/2005. Ndërkohë zotërimi i aksioneve deri më datë 06.02.2014 bie ndesh me shkronjën “c” të nenit 28 të po këtij ligji. Përsa më lart, në rastin konkret vërtetohen kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, të parashikuara me ligj, në kuptim të nenit 70/2 të Kushtetutës.

Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës mandati i tij parlamentar konsiderohet i fituar në momentin e shpalljes deputet nga KQZ-ja. Deputeti Koco Kokëdhima kishte detyrimin që në momentin e shpalljes së tij fitues nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë, duke përfshirë ndalimin e përfitimit të fondeve publike nga shoqëria e tij tregtare, por edhe papajtueshmërinë e parashikuar në nenin 28 të ligjit nr. 9367/2005. Deputeti ka përgjegjësi individuale për ushtrimin e detyrës së tij dhe nuk mund të justifikojë veprimet e tij jokushtetuese me situata të tjera jokushtetuese apo joligjore (sic është edhe veprimtaria politike e ILDKPKI-së, e cila duhet të kishte konstatuar tashmë këtë shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, por e “mirëkuptojmë” sepse është ekstremisht e zënë në aksione politike të urdhëruara nga ‘eprorët’)!

Në vendimin nr. 44/2011, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Deputeti ka detyrimin që në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, pavarësisht se kur bën betimin, të sillet si deputet”. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e deputetit Koço Kokëdhima, sepse ai edhe pas shpalljes si deputet ka vijuar të përfitojë fonde publike dhe të zotërojë aksione në një shoqëri tregtare, si dhe të jetë drejtues dhe anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse.

IV. KONKLUZION

Bazuar në analizën në tërësi të dispozitave kushtetuese dhe ligjore relevante, fakteve dhe rrethanave të çështjes, Ekstraktit të QKR-së, arrijmë në përfundimin se deputeti Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara nga neni 70/2-3 i Kushtetutës dhe neni 28 i ligjit nr. 9367/2005 në të paktën 150 raste.

Në këto kushte, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhej me nenet 70 dhe 71  të Kushtetutës, dhe nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, kërkon mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili të shqyrtojë papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, si dhe i kërkon Kuvendit të vendos për dërgimin e cështjes për shqyrtim në Gjykatën Kushtetese.

Me bindjen se mocioni jonë do të merret në konsideratë dhe se Kuvendi do të zbatojë në këtë rast nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, si dhe precedentin kushtetues të vendosur me vendimin nr. 44/2011 të Gjykatës Kushtetuese, mbetemi në pritje të reagimit tuaj të shpejtë dhe pa vonesa të metejshme, si dhe me shpresën për rikthimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë.

 

Komenti pas kerkeses se PD:

Pse mund të humbasë mandatin Kokëdhima, sipas PD-së

Sipas PD deputeti i Sarandës  Koço Kokëdhima rrezikon seriozisht të humbasë mandatin e tij, në më pak se dy vjet pasi ai është zgjedhur për herë të parë në kuvendin e Shqipërisë. Madje opozita ka filluar edhe proceduarat parlamentare për ta bërë të mundur një gjë të tillë. Këtë të mërkurë, deputetja Jorida Tabaku, ka shpallur këtë nismë të re, ndërsa zyra për marrëdhënie me shtypin e selisë blu, ka shpërndarë një dosje të plotë me shkeljet e hapura të ligjit që pretendohet se ka bërë miku i ngushtë i Edi Ramës.

Po çfarë përmban dosja voluminoze dhe ku është “kapur mat” Kokëdhima sipas PD-së?

Në lojë është një nga kompanitë e vetme të shëndetshme që ka arritur ti mbetet në këmbë atij që dikur quhej grupi "2K". Fjala është për “Abissnet” një shoqëri që merret me shpërndarjen e internetit dhe të telefonisë.

Muaj më parë, ose më saktë në gusht të vitit 2014, kjo kompani me pronar Kokëdhimën u sulmua në media për faktin se ajo kishte përfituar fonde publike. Por një gjë e tillë ndalohet së paku nga tre nene të kushtetutës, të cilat ia pamundesojne të zgjedhurve të popullit të ushtrojnë detyra të tjera, e për më tepër të përfitojnë nga fondet publike. Në atë kohë debati u ndez i ashpër. Por me një komunikatë zyrtare “Abissnet” u mundua ti hedhë ujë zjarrit. Kjo shoqëri publikoi një komunikatë, ku pretendonte se se akuzat që bëheshin ishin të pavlefshme sepse Kokëdhima nuk qe më pronar i “Abissnet”: “Z. Koço Kokëdhima ka qenë aksionar në shoqërinë Abissnet sh.a deri më datë 06.02.2014, datë në të cilën ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër juridik”.

Dyshimet se kjo është një shitje fiktive janë të forta. Këtë dyshim e shton edhe fakti se kontrata është e pa noterizuar. Ajo mund të jetë një manovër, nga ato që bëjnë shumë deputetë shqiptarë për të fshehur formalisht pronat e tyre që nuk ua lejon ligji. Por megjithëatë ajo mund të shërbejë si alibi, për të mos ndërprerë mandatin e deputetit. Pikërisht për këtë çështja Kokëdhima duket se u fashit. Qoftë edhe formalisht procedura për heqjen e mandatit të tij nuk mund të fillonte. Por historia nuk mbaron këtu. Demokratët me sa duket i janë qepur me bukë në trastë kolegut të tyre socialist. Një grup ekspertësh ka punuar me muaj të tërë.

Dhe çfarë ka zbuluar?

Sipas tyre një fakt asgjësues dhe të pakundërshtueshëm. Pak rëndësi ka nëse shitja e aksioneve të Kokëdhimës, në shkurt 2014 është e rreme apo jo. Deputetët e PD-së pretendojnë të kenë gjetur dokumente se kompania e tij ka fituar para publike edhe përpara kësaj date. Ose më saktë që prej shtatorit 2013. Pra deklarata që dikur shërbeu si kamerdare shpëtimi për deputetin, tani mund të jetë guri i provës për goditjen fatale ndaj tij. Ajo e pranon faktin se Kokëdhima ka qenë pronar deri në fillim të vitit 2014. Dhe nëse rezulton që deri në këtë kohë ai ka futur në të para shtetërore, nuk ka më zot ta shpëtojë. Këtu tre nene të kushtetutës janë taksativë.

 

Aq më tepër që tashmë kuvendi i Shqipërisë ka një precedent të tillë. Heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja i cili është i mbështetur edhe nga një vendim i gjykatës kushtetuese. Por thonë demokratët, rasti Kokëdhima është ku e ku më i rëndë se ai i ministrit aktual të shëndetësisë. Sepse ai është një rast i përsëritur së paku 150 herë. Dhe për të mbështetur akuzat e saj, PD sjell edhe një mori faturash ku detajohen paratë që ka fituar kompania e Kokëdhimës nga bashki, komuna dhe drejtori rajonale. E vetmja gjë që mbetet akoma e pa qartë është fakti nëse për këto fatura që publikon PD-ja, kur janë nënshkruar kontratat. Pra mos vallë kontratat me institucionet shtetërore janë nënshkruar, para se Kokëdhima të merrte mandatin? Por edhe në këtë rast ai nuk i shpëton dot ligjit. Sepse në të gjitha rastet ai ka qenë duke arketuar para publike duke kryer funksionin e deputetit.

Por Kokedhima njihet si nje mjeshter i vertete dhe zor se e ka e lene veten te bjere ne prangat e ligjit e sidomos te PD-se.

  Dyshime se kjo goditje vjen nga brenda PS-se

Ka informacione te besueshme se e gjitha kjo goditje vjen nga brenda grupit te PS, pasi Koço u kthye ne nje “superdeputet” dhe njihet si nje mik shume i ngushte i Rames. Edhe fakti se thuhet qe ai goditi Shpetim Gjiken ne  Vlore, duke e masakruar, siç thote nje zv/minister socialist, te krijon mendimin se ka nje akord perfekt mes PD dhe nje pjese te PS-se. Kjo edhe per te goditur Edi Ramen.

Gjithçka ndodh ne Tirane!- thote kenga e mikut te Kokedhimes, pra e Edi Rames.

SHKARKO APP