Duka: Ndeshja me Ukrainën si finale
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka foli në prag të ndeshjes që Shqipëria do të luajë ndaj Ukrainës. Duka deklaroi se është një ndeshje e vështirë dhe përballë është një kundërshtar më shumë kualitete. Sipas tij, Ukraina është më kualitative se Çekia, por lojtarët duhet të luajnë me guxim dhe pa frikë, në atë që Duka e cilësoi si finale.
”Nuk mund të them nëse mund të kishte më shumë ndryshime. Uroj që trajnerit t’ia shpërblejnë lojtarët e hedhur në formacion. Për këtë kompeticion, kjo është finale. Në këtë ndeshje mund të dalim të parët, por edhe më poshtë. Ky është grupi më i balancuar i Ligës së Kombeve. Kemi një skuadër të mirë dhe kompetitive. Edhe Ukraina është një skuadër e mirë.
Mendoj se do të kemi një rezultat pozitiv. Çekia është skuadër më fizike, ndërsa Ukraina është skuadër më kualitative. Të dyja janë të vështira, por në mënyra të ndryshme. Mendoj se si lojë na përshtatet më shumë Ukraina. Edhe ne kemi kualitet në fushë. Uroj me rezultat pozitiv.
Dëshira dhe parashikimi janë të ndryshme. Dëshira është për fitore, por ta përballosh atë me guxim, por jo me frikë. Ukraina është një nga skuadrat e mira të Evropës. Kanë kualitete të jashtëzakonshme nga mesfusha e sipër. Unë mendoj se te Ukraina ndikojnë edhe rrethanat jashtë, jo sportive. Është e fundit në grup, por nuk meriton të jetë aty. Ka kualitet dhe ndoshta meritojnë të jenë në Ligën A. Ukraina është një skuadër më kualitet. Është skuadër e nivelit të lartë. Uroj t’i fillojë grafiku negativ sot.
Në këto tre muaj, mendoj se kryesorja ka qenë gjendja fizike e lojtarëve. Ne kemi qenë pafat në krahasim me rivalët. Kjo ka qenë një goditje e fortë për skuadrën tonë. Shqipëria duhet të jetë e balancuar dhe me këmbë në tokë”, deklaroi Duka.