Dule: Duhen komisionerë zgjedhorë jopartiakë

 

Vangjel Dule mbështet propozimin e raportit të OSBE-ODIHR për komisionerë zgjedhor jopartiake.

Në një deklaratë për shtyp, pas takimit me kreun e misionit vëzhgues, Audry Glover, Dule tha se, raporti për zgjedhjet është më adekuati.

“Për PBDNJ, përbërja e komisioneve zgjedhore kanë qënë gjithmonë rrënja e së keqe. Së dyti, duhet që me çdo kusht t’i pritet rruga njëherë e mirë si nëpërmjet ngritjes së ndërgjegjes së votuesve, por edhe nëpërmjet masave ndëshkuese të fenomenit më negativ që mund të ketë një proces zgjedhor që është shitblerja e votës. Në demokraci kemi tregun e ideve, jo tregun e mallrave. Zgjedhjet në demokraci kërkojnë qytetarë, nuk kërkojnë thjesht të shpërblyer me 50 apo 100 euro”,- tha Dule.

Ai kërkoi që problematikat e identifikuara në raportin e OSBE-ODIHR duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me implementimin absolut të të gjithë rekomandimeve, “me qëllimin një dhe të vetëm, nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve të juridiskionit të OSBE-ODIHR me zgjedhje problematike”.

SHKARKO APP