Duma: Makina jonë elektorale nuk ndalet, rotacioni është pranë
Ish-deputetja demokrate, Grida Duma ishte e ftuara e mbrëmjes në edicionin e lajmeve në SYRI TV. Përballë Juli Krisafit ajo komentoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilën e quajti një çmenduri.
“Teksa po ndiqja momentin e çmendurisë së tij, ishte shteti teksa bënte grusht shteti,” tha Duma.
Sipas saj, kjo tregoi edhe njëherë rëndësinë e betejës që ka bërë PD për votën e lirë. “Është e qartë se nuk kemi bërë betejë në ajër,” tha Duma.
“Basha është përpjekur t’u drejtohet qytetarëve me logjikën e ekonomisë, pavarësisht çmendurive që po ndodhnin në shtet. Por fakti që kemi theksuar prej muajsh logjikën e votës së lirë, ishte për të mos ardhur në një ditë ku çdo rregull loje nuk ekziston më,” vijoi ajo.
“Garancitë për votën kanë rënë. Ai ka ndërtuar precedentin që ka goditur çdo institucion. Ne dolëm nga institucionet për të ruajtur institucionet. Kurse këta përdorin sistemin për të shkatërruar sistemin. Shtet që i bie me grusht vetes,” tha Duma.
E pyetur për komentet për burgosjen e Ramës, ajo tha se qeverisja e ardhshme e PD ka për detyrë që informacionin që ka, t’ia ofrojë prokurorisë.
“Guri i fundit është ai që i bie vetvetes. Rama nuk e ndryshon dot rotacionin. PD do përpiqet përtej pushtetit të vetes për të ruajtur rregullat e lojës,” tha Duma.
E pyetur nëse do të dalin në protesta, Duma tha: “Unë në këtë momente shikoj një maturi të fortë politike dhe një qartësi që makina jonë elektorale nuk ndalet pavarësisht se sa me gurë është kjo rrugë”.
“Pushteti do të merret përmes votës. Luftën e kemi bërë që vota e lirë të jetë thelbi i pushtetit. Pa dyshim që në pushtet do të vijmë me votën e lirë”.