Dumani i përgjigjet Shehajt: Vija ime e kuqe janë prova dhe ligji

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani gjatë raportimit në Kuvend, u pyet nga deputeti Agron Shehaj nëse ai dhe institucioni që drejton kanë ndonjë vijë të kuqe pëtej së cilës nuk mund të kalojnë. Shehaj mendon se Dumani dhe SPAK nuk mund të shkojnë përtej në hetimin e kryeministrit dhe krybashkiakut të Tiranës. Por Dumani u përgjigj se vija e kuqe për të dhe prokurorë të tjerë është ligji dhe kushtetuta. Sipas tij çdo gjë lidhet me provueshmërinë e kallëzimeve.

”Nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt zoti deputet. Mbrojtja ime e vetme janë ligji, kushtetuta dhe personaliteti dhe karakteri im. S’kam nevojë për mbrojtjen e askujt. Ka vetëm një vijë të kuqe që është prova dhe ligji. Procesi i hetimit është i vështirë. Provueshmëria është e vështirë. Prandaj detyra jonë, përpiqemi ta përmbushim, në çdo kallëzim të hetohen gjithë faktet e kallëzuara dhe të hetohet roli i çdo personi të kallëzuar.

Këtë bëjmë me hetimet e çështjeve që kemi në dorë. Provueshmëria është faza që pason grumbullimin e provave. Kjo është vija e kuqe. Nuk kemi vijë të kuqe. Ushtrojmë funksionet tona në mënyrë të pavarur nga politika dhe krimi. Ligji dhe kushtetuta na e garantojnë.

Prokurori nuk i lejohet të shfaqë mendimet kështu por të grumbullojë prova dhe të disponojë me kate proceduriale përkatëse. Nuk jap mendim. Por zoti Shehaj, çdo gjë ka kohën e vet. Hetimi kërkon ndërveprimin e shumë institucioneve, prandaj vërtet janë çështje që kërkojnë angazhim, burime njerëzore”,-tha Dumani.

SHKARKO APP