Dumani në Kuvend: Të ruhet pavarësia e SPAK, është “çelësi” i suksesit tonë
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani i pranishëm në sallën e Kuvendit, kërkoi që të ruhet pavarësia e institucionit që ai drejton, për të vijuar punën e mirë që sipas tij po bëhet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Përpara nesh ka shumë sfida dhe përparësi. Në mënyrë të përsëritur SPAK ka paraqitur në KLP dhe Kuvend disa shqetësime që shpreson të gjejnë zgjidhje ligjore nga Kuvendi. Sfida e parë është ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Aktualisht kemi një kornizë ligjore që siguron këtë dhe besoj se kjo pavarësi është një ndër shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen e veprave penale”, tha Dumani në një takim me përfaqësues të komisionit të monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Dumani shtoi se ka kërkuar disa ndryshime ligjore, siç është dhënia e mundësisë për të rikandiduar për një mandat tjetër prokurorëve të SPAK. Sipas ligjit në fuqi, pas 9 vitesh në detyrë, prokurori i SPAK kthehet në punë në prokuroritë e tjera të vendit.