DW: Balotazhi mund të vendosë të ardhmen e Erdoganit

Pas dy javësh vendoset, nëse Erdogan do të vazhdojë të jetë në krye të shtetit turk edhe për pesë vjet të tjera apo do të dalë në krye rivali i tij, Kilicdaroglu. Në raundin e parë, Erdogan nuk arriti 50% të votave.

Në Turqi zgjedhjet presidenciale do të vendosen në fund ta majit në balotazh. Pas numërimit të votave, përfaqësues të partisë së Erdoganit dhe opozitës bënë të ditur, se asnjëri nga kandidatët nuk ka mbërritur në kuotën e 50% të votave. Erdogan u tregua i gatshëm për të dalë në balotazh kundër kandidatit të opozitës Kemal Kilicdaroglu. “Ne nuk e dimë, nëse zgjedhjet do të marrin fund në raundin e parë, por nëse njerëzit na dërgojnë në një raund të dytë, ne do ta respektojmë edhe këtë”, tha Erdogan para përkrahësve të tij në Ankara. Do të kalojnë edhe disa orë derisa të publikohen rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës.

 Mediat: Erdogan kryeson 

Si agjencia turke e lajmeve, Anadolu edhe ajo e afërt me opozitën, Anka kanë bërë të ditur, se Erdogan ndodhet para Kemal Kilicdaroglu në rezultate. Presidenti turk duket se ka arritur 49,5% të votave kurse rivali i tij rreth 45%. Pjesa tjetër është rezultat i kandidatëve të tjerë. Kandidati i opozitës, Kemal Kilicdaroglu u bëri thirrje përkrahësve të tij të qëndrojnë në qendrat zgjedhore deri në fund të numërimit të votave. “Asnjëherë mos u largoni nga kutia e votimit dhe komisionet zgjedhore”. tha kreu i partisë socialdemokrate, CHP në Ankara. “Në qendrat, ku ne kemi një pjesë të madhe të votave, ata e bllokojnë sistemin me pretendime të njëpasnjëshme”, tha Kilicdaroglu, duke iu referuar partisë konservatore-islamike, AKP. Kurse AKP nga ana e saj akuzoi CHP për sabotazh. 

Fund i një epoke në horizont? 

Zgjedhjet presidenciale konsiderohen ndër më të rëndësishmetnë historinë e Turqisë me 85 milionë banorë, sepse mund t’i jepnin fund qeverisjes prej më shumë se dy dekadash të Erdoganit dhe do të nënkuptonin një ndryshim të thellë politik. Përmes ndryshimeve kushtetuese, 69 vjeçari Erdogan ka marrë në dorë kompetenca mjaft të zgjeruara. Përveç kësaj, Erdogan ka kontroll mbi institucionet turke në një kohë që personalitetet liberale në vend janë mënjanuar. Erdogan i ka mbijetuar një sërë skandalesh të korrupsionit të rrethit të tij dhe një përpjekjeje për puç në vitin 2016. 

Presidenti turk, Erdogan gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorë, që ndjeheshin të diskriminuar në një Turqi laike. Por popullariteti i tij ka rënë pas problemeve të mëdha të shkaktuara nga inflacioni. Kundërshtari i Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu ka thënë, se do të drejtojë Turqinë me një kurs të ri, do të ripërtërijë demokracinë pas vitesh të shtypjes shtetërore të Erdoganit, do të kthehet tek një politikë e qartë ekonomike dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me perëndimin. Nëse ai do të fitonte, mijëra të burgosur politikë do të liroheshin. 

Krahas zgjedhjeve presidenciale, të dielën u votua edhe për parlamentin e ri në Turqi. Sipas njoftimeve në media, partia e Erdoganit, AKP me parti të tjera aleate ka dalë në krye kundrejt partive të opozitës./DW/

SHKARKO APP