DW: Ekstremistë të djathtë parashikonin sulme dhe rrëmbime në Gjermani
“Patriotët e Bashkuar” dyshohet se kishin planifikuar të provokonin situata të luftës civile në Gjermani. Ata planifikonin edhe rrëmbimin e Ministrit gjerman të Shëndetësisë.
Hetuesit në Gjermani vepruan sot kundër anëtarëve të një grupi chat-esh, bisedimesh në mesenxher, që dyshohet se planifikonte sulme dhe rrëmbime të figurave publike. Të dyshuarit thuhet se janë veçanërisht nga skena e protestave të koronas. Sipas hetuesve, ishte planifikuar edhe një rrëmbim i ministrit të Shëndetësisë Karl Lauterbach.
Sipas zyrës së prokurorit publik në Koblenz, zyrë kompetente për rastin, kontrollet u bënë dje veçanërisht në landet e Rheinland-Pfalz-it, Bavarisë, Baden-Württemberg-ut, Saksonisë së Ulët, Rinit Verior-Vestfalisë si dhe në Brandenburg dhe në Turingen. Rreth 270 punonjës policie morën pjesë në aksionin në 20 objekte.
Të dyshuarit nga skena e protestës së koronas dhe lëvizja e qytetarëve të Rajhut
Të dyshuarit akuzohen për përgatitje të një akti të rëndë dhune që kërcënon sigurinë shtetërore dhe për shkelje të ligjit për kontrollin e armëve dhe armëve të luftës. Sipas hetuesve, personat i përkasin skenës së protestës së koronas dhe lëvizjes së qytetarëve të Rajhut. Gjatë kontrollit u sekuestruan armë, municion, para të gatshme, shufra ari dhe monedha argjendi. Katër të pandehur janë arrestuar dhe ndaj tyre është kërkuar urdhër arresti.
Synohej të krijoheshin rrethana të ngjashme me luftën civile
Konkretisht, grupi i chat-it “Patriotët e Bashkuar” synonte të shkatërronte instalimet elektrike për të shkaktuar një ndërprerje mbarëkombëtare. Sipas njoftimit për shtyp nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe zyra penale e Landit të Rheinland-Pfalz, “të pandehurit donin të provokonin kështu situata të luftës civile dhe në fund të përmbysnin sistemin demokratik në Gjermani”. Hetimi ndaj grupit ka vijuar që nga tetori i kaluar.
Plane për rrëmbimin e ministrit Lauterbach
Ndër të tjera, thuhet se ishte planifikuar edhe rrëmbimi i Ministrit federal të Shëndetësisë, Karl Lauterbach. Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser foli në Berlin për një kërcënim serioz terrorist dhe fantazi për përmbysje të dhunshme.
Lauterbach-u u tregua i shtangur nga planet për rrëmbimin e tij dhe falënderoi hetuesit për punën e tyre të mirë. Politikani socialdemokrat tha se kjo ngjarje tregon se protestat e koronës jo vetëm që janë bërë më radikale, por tashmë janë një përpjekje për të destabilizuar shtetin./DW