DW: Plane për një mikro-shtet sovran të bektashinjve
Shkruar nga Elona Elezi, botuar në radion shtetërore gjermane DW-
Kryeministri Edi Rama njoftoi për planet për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” në Tiranë. Kryegjyshata Botërore e mirëpriti lajmin, ndërkohë që lëvizja u prit me habi dhe skepticizëm nga opinioni publik.
Teksa shpallte planin e tij për krijimin e një shteti sovran të urdhrit bektashishiit sufi, kryeministri Edi Rama zgjodhi të perifrazojë nobelisten shqiptare Nënë Tereza: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Duke folur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara gjatë së dielës, Rama tha se enklava sovrane, që do t’i ngjasojë Vatikanit, do të jetë një “qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”.
I themeluar gjatë shekullit të trembëdhjetë në Perandorinë Osmane, Urdhri Bektashi e zhvendosi qendrën e tij në Tiranë që prej vitit 1929.
Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij.
Lajmi u bë publik pas artikullit të së shtunës në “New York Times”, aty ku Rama bëri të njohur për herë të parë krijimin e një shteti të ri mysliman brenda kryeqytetit shqiptar.
Kryeministri e shpalli zyrtarisht këtë projekt një ditë më pas, nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Për udhëheqësin e bektashinjve, Haxhi Dede Baba, i njohur si Baba Mondi, kjo është një “nismë e jashtëzakonshme, e cila do të sjellë një epokë të re për tolerancën fetare botërore dhe promovimin e paqes.
“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative” – u tha në reagimin zyrtar të Kryegjyshatës.
Një lëvizje e paparë
Ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri, edhe këtë herë ekspertët dhe publiku u lanë totalisht në terr informativ rreth detajeve të planit të qeverisë. Për shumë prej tyre, ideja “mbiu nga hiçi”.
Besnik Sinani, hulumtues në Qendrën e Teologjisë Islame në Universitetin e Tübingenit në Gjermani, njëkohësisht bashkëthemelues i Institutit “Konak” me bazë në Tiranë, thotë për Deutsche Welle se “ky është një rast i paprecedent në ravijëzimin e fesë bashkëkohore”.
“Krahasimi i dobët me shembullin e Vatikanit, një marrëveshje e imponuar për shtetin papal në 1929-ën nga Benito Mussolini, nuk i shkon për shtat kontekstit historik” – i tha Sinani DW. “Aktualisht, qeveria shqiptare nuk ka ofruar asnjë argument të vetëm bindës për të justifikuar një veprim të tillë.”
Plani duhet të miratohet nga Parlamenti
Albert Rakipi, kryetar i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, argumenton se kjo nuk është një çështje e rëndomtë për të cilën vendos qeveria. “Pavarësisht se nuk flitet për themelimin e një shteti në konceptin klasik – me një popullsi të caktuar, me një territor të caktuar, me institucionet respektive që ka një shtet si: ushtria, policia, gjykatat, zyra e taksave dhe të tjera struktura që lidhen me sovranitetin e brendshëm – do të jetë një vendimarje që duhet të kalojë nga parlamenti” – i tha ai DW.
Rakipi vijoi më tutje, duke theksuar se ka gjithashtu aspekte të rëndësishme që lidhen me sovranitetin e jashtëm, të cilat duhet të qartësohen.
Në fakt, ka një paqartësi të rëndësishme rreth mënyrës se si do të njihet sovraniteti i këtij mikro-shteti.
Në Nenin 1 (2) të Kushtetutës së Shqipërisë, parashikohet se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Kjo nënkupton se për ndryshimin e këtij neni, qeverisë do t’i duhej një shumicë prej 94 votash, ose 2/3 e Parlamentit.
Ndikim në harmoninë fetare?
Për një kohë të gjatë Shqipëria është shquar për harmoninë dhe tolerancën fetare. Xhamitë dhe kishat shpesh qëndrojnë krah njëra-tjetrës dhe martesat ndërfetare janë të pranuara gjerësisht në shoqëri.
Sipas numërimit të popullsisë vitin e kaluar, më shumë se 50% e popullsisë së Shqipërisë u vetëdeklarua myslimane, dhe rreth 115 mijë vetë u regjistruan bektashinj. Katolikët dhe ortodoksët përbëjnë pjesën tjetër të popullsisë.
Po si mund të ndikojë ky plan në marrëdhëniet mes feve në vend?
Rakipi nuk mendon se kjo ide do të ndikojë negativisht tek balancat, mirëkuptimi dhe harmonia fetare që ekziston në Shqipëri ndërmjet komuniteteve fetare, sepse komuniteti bektashi ka shërbyer historikisht si urë bashkimi dhe bashkëpunimi midis myslimanëve dhe të krishterëve.
“Mendoj se është një investim i mirë, sidomos për promovimin e tolerancës, kulturës së bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në një kontekst të zhvillimeve dramatike, siç është konflikti në Lindjen e Mesme” – i tha ai DW.
Jo të gjithë janë dakord
Ndryshe nga Rakipi Komuniteti Mysliman i Shqipërisë tha se e konsideron këtë nismë “si një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe theksoi në reagimin për mediat dhe opinionin publik se është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë islame në Shqipëri.
“Kjo nismë, për të cilën jemi njohur përmes medias, nuk është konsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë”.
Besnik Sinani mendon se ky plan do të ketë ndikimin e tij ndërmjet feve në Shqipëri, sepse siç thotë ai, në vend nuk ekziston asnjë situatë aktuale që e justifikon një vendim të tillë.
“Pretendimi se ky shtet i supozuar bektashi do të ndikojë pozitivisht në një klimë tolerance në rajon, është i pabazë ” – i tha ai DW. “Nëse realizohet, ka të ngjarë të prishë ujditë historike midis fesë dhe shtetit në Shqipëri, i cili është krijuar mbi vizionin e baballarëve që themeluan shtetin shqiptar, shumë prej të cilëve ishin bektashinj”.
‘Jo një shtet islamik’
Shumë ekspertë janë të shqetësuar se kjo lëvizje mund të çojë drejt etiketimit të Shqipërisë si një “shtet islamik”.
Por Albert Rakipi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, thekson se Shqipëria nuk po planifikon ngritjen e një shteti islamik në kryeqytetin e saj. “Një shtet islamik është një realitet tjetër në rrafshin teorik dhe praktik” – thotë ai. “Jo të gjitha shtetet, popullsia e të cilëve është myslimane, janë shtete islamike. Në një shtet Islamik, ideologjia e organizimit të këtij shteti është feja, pra Islami, dhe në shumicën e rasteve Islami shërben edhe si ideologji organizuese e shoqërisë”.
Pse pikërisht në këto çaste dhe për çfarë arsyesh Rama e ndërmori këtë nismë, janë të panjohura. Shumë pyetje kërkojnë ende përgjigje. “Shumë duhet ta mbajnë mend se qeveria shqiptare ka qenë e përfshirë në tensione politike të ndryshme botërore, tensione me bazë fetare” – tha Sinani. “Shqipëria pranoi një organizatë që më parë konsiderohej organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mujahedeen-e-Khalq, e cila është e angazhuar për të rrëzuar qeverinë iraniane. Ajo ka pranuar anëtarët e Lëvizjes “Gulen”, e cila konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, ose ish-të burgosurit e Gjirit të Guantanamos, të cilët qeveria amerikane nuk mund t’i dërgonte në vendet e tyre të origjinës”.
Urdhri bektashi këmbëngul se përtej skepticizmit, “shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër veç udhëheqjes shpirtërore”.