DW: Simpati në Tiranë për kurajën e Albin Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Tiranë për të diskutuar me krerët e shtetit shqiptar mbi zhvillimet e fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Një javë pas marrëveshjes Kosovë-Serbi në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Tiranë të dielën (26.03.) për të diskutuar me krerët e shtetit shqiptar mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Në takimet kryesore politike, Kurti ka gjetur mbështetje të gjerë politike nga Tirana zyrtare për kurajën e treguar në Takimin e Ohrit dhe ujdinë e arritur për të hedhur hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë paradites së të dielës Kurti u prit nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe më pas nga kryeparlamentarja znj. Lindita Nikolla.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i vlerësoi rezultatet e takimit të Ohrit, si një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. Ai përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga kryeministri i Kosovës dhe ekipi negociator për ta pranuar planin evropian dhe zbatuar atë.
Zyra e Presidencës njoftoi se lidhur me takimin e Ohrit të mbajtur më 18 mars 2023, Presidenti Begaj vlerësoi dakordësimin publik dhe angazhimin e palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës. Begaj ka shprehur po ashtu besimin, se do të gjenden mekanizmat e duhur që dakordësimi publik i Ohrit të kthehet në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.
Kurti zhvilloi bisedime të dielën edhe me kryeministrin Edi Rama. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkroi në Facebook se i ka shprehur kryeministrit të Kosovës simpatinë për kurajon dhe realizmin që ka treguar për të hedhur hapa me rëndësi.
“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka shkruar Edi Rama. Kryeministri Albin Kurti zhvillon bisedime edhe me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. /DW/