Dy aksidente vdekjeprurëse brenda pak orësh

 

Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Gjepalaj-Shijak, në orët e vona të së enjtes.

Sipas policisë, në vendin e quajtur varrezat e lagjes “Keçi” në Shijak, 20-vjeçari nga Dibra, me inicialet E.A., duke drejtuar automjetin BMW, me targa AA266IN, është përplasur me një tjetër mjet, tip “Benz”, me targa AA364LL, që drejtohej nga 20-vjeçari H.P., banues në Shijak.

Për pasojë ka humbur jetën 77-vjeçari L.C., nga Dibra, i cili ishte pasagjer në automjetin BMW, si dhe është dëmtuar rëndë drejtuesi i automjetit tjetër, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit nën kujdesin e mjekëve.

Pas veprimeve në vendin e aksidentit, policia konsideron si shkaktar 20-vjeçarin E.A., i cili është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai është shpallur në kërkim për dy akuza; “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.

Pak më vonë u raportua për një tjetër aksident, këtë herë në aksin Fier- Kolonjë.

Një motoçiklist është përplasur me një mjet me targa të Kosovës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Sipas policisë, motoçiklisti është Gazmend Hatija, një 27-vjeçar banues në fshatin Kallm.

Pas raportimeve, policia menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe po heton rastin.

Mendohet se shoferi kosovar nga Peja ishte i dehur.

SHKARKO APP