Dy anëtarë të kushtetueses pro lirimit të Belerit

Shumica vendos dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm, por ai i 21 marsit për Fredi Belerin ka edhe mendim pakice me dy anëtarë që kanë qenë pro lirimit nga qelitë e burgut.

Nuk kanë mundur të ndryshojnë qëndrimin e shumicës, që konfirmoi masën ”arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, por Marsida Xhaferrllari dhe Sonila Bejtja, e kanë vlerësuar si jo të përshtatshme këtë masë sigurie.

Qëndrimi i dy gjyqtareve në trupën 9 anëtarësh të Kushtetueses, del në dritë në vendimin e arsyetuar ndaj Belerit. Në verdiktin e zbardhur, anëtarët e pakicës arsyetojnë se Kushtetuesja duhet të vlerësonte çështjen jo vetëm në rrethanat e procedimit penal ndaj Belerit, por edhe funksionit kushtetues që ai pritej të ushtronte.

“Kriteret kushtetuese për kontrollin e çështjes duhet të ishin identifikuar sidomos nga perspektiva e kërkesave për funksionimin e përshtatshëm të Bashkisë Himarë, ku kërkuesi pritet të marrë pozicionin e kryetarit, institucion i cili është pjesë e sistemit kushtetues demokratik të vendit.

Është fakt se për shkak të kufizimit të lirisë personale të kërkuesit Bashkia Himarë edhe sot është ende pa kryetar, duke sjellë në këtë mënyrë edhe deficit të legjitimitetit demokratik, pra deformim të vullnetit të qytetarëve që kanë votuar”.

SHKARKO APP