Dy atentate ndaj Trump, Ardit Bido: Polarizimi politik ka arritur nivele të larta
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ka komentuar zhvillimet e fundit në garën presidenciale në SHBA, duke u ndalur te atentati i dytë ndaj Donald Trump. Për të polarizimi politik ka arritur nivele shumë të larta dhe është i ngjashëm me nivelet e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi se ndikim në këtë rritje të polarizimit kanë pasur edhe rrjetet sociale.
“Jetojmë në një epokë ku polarizimi politik është në nivele të ngjashme me ato si pas Luftës së Dytë Botërore. Sot ekonomia nuk është më faktori kryesor për polairizimin, por është mënyra si komunikojmë. Rrjetet sociale dhe algoritmet e tyre kanë ndikuar në këto ndryshime.
Kjo nuk është vetëm në politikën amerikane, por ndodh edhe në Europë. Demokratët sot janë shumë më radikalë, republikanët po ashtu. Shohim në Evropë, pamë AfD në Gjermani që arriti shumë, Le Pen në Francë po ashtu. Në Itali kemi Melonin. Radikalët po fuqizohen gjithnjë e më shumë duke lënë forcat afër qendrën në pakicë”, u shpreh ai.