Dy grabitje në mes të Tiranës, pas dështimit hajduti qëllon policinë në Elbasan

Rikthehen grabitjet me armë në kryeqytet, por edhe më gjerë.

Një grabitje me armë është kryer paraditen e së enjtes në rrugën e Durrësit, në kryeqytet. Nga informacionet paraprake pas hetimeve rezulton se, grabitësit, nën kërcënimin e armëve, kanë mundur të marrin 5 milionë lekë të vjetra nga dyqani.  Ata kanë mundur gjithashtu që pas grabitjes të largohen. Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin e tyre.

Grabitja e dytë në kryeqytet u bë në “Urën e Beshirit” ku një taksist u grabit nga dy persona që dyshohet të kenë qenë të armatosur. Ata pasi e grabitën duke i marrë telefonat dhe orën i morën dhe makinën.

Elbasan, dështoi në grabitje, 50-vjeçari qëllon ndaj policisë

Një 50-vjeçar ka tentuar të vjedhë në një banesë, por është pikasur nga e zonja e shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në një fshat të Elbasant.  Gruaja ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka bërë të mundur arrestimin e Aleksandër Kuqaj.  Por gjatë tentativës për t'i shpëtuar policisë, 50-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve. Fatmirësisht, asnjë nuk u lëndua, ndërsa Kuqaj u neutralizua.   Në cilësinë e provës u sekuestrua edhe arma, një çifte gjahu që Kuqaj e kishte me leje që prej vitit 1992.   Ndaj 50-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes së punonjësve të policisë të mbetur në tentativë, dhe vjedhje e mbetur po ashtu në tentativë.

Hajduti 19- vjeçar kapet në Port, para ikjes në Itali

Një 19-vjeçar i dënuar për vjedhje është ndaluar në Portin e Durrësit, në përpjekje për t'u larguar drejt Italisë.  Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur se Armando Meçe, nga Tirana, ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me 1 vit burg.  Në nëntor të 2012, Meçe ishte autor i një vjedhje spektakolare në kryeqytet. Në bashkëpunim me një tjetër person, vodhi një banesë në katin e shtatë të një pallati në rrugën “Don Bosko”. Autorët zbritën në banesë nëpërmjet një litari.  Adoleshenti 19-vjeçar Meçe iu dorëzua Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

SHKARKO APP