Dy javë nga nisja e operacionit të OFL/ 19 formularë dhe asnjë kërkesë në Gjykatën Speciale (EMRAT+VIDEO)

Në dy javët e para të Operacionit Forca e Ligjit, në fokus të tij janë vënë 19 emra të njohur të botës së krimit, të cilëve u është dërguar formulari për justifikimin e pasurisë, ndërsa 10 urdhër sekuestrimesh janë firmosur nga Ardi Veliu. SPAK ndërkohë ka rikthyer në OFL dy raste sekuestrimesh si të paplota në veprime, ndërsa asnjë kërkesë nuk është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme.

13 ditë pas fillimit të Operacionit Forca e Ligjit, Policia e Shtetit i ka dërguar formularin një numri të konsiderueshëm personazhesh të botës së krimit, të cilët ndër vite janë njohur jo vetëm nga drejtësia por edhe opinioni publik për aktivitetet e tyre kriminale.

Deri këtë të Diel, OFL u ka dërguar formularët për deklarimet e pasurive 19 personave, të cilët në shumicën e rasteve janë treguar të gatshëm për t’i plotësuar dhe për t’u përballur me operacionin, i cili është konsideruar në jo pak raste edhe si antikushtetues.

Me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, formulari për justifikimin e pasurisë ka mbërritur në dorën e Lulzim Berishës, Ardian Çapjas, Dashamir Gjokës, Emiljano Hysenajt, Edlir Hysenajt, Plarent Dervishajt, Suel Çelës, Saimir Taullaut, Arbër Isufajt, i njohur si Ben Qimja, Albert Lames, i njohur edhe me mbiemrin Kosciak, Bardhok Pllanajt, Emiljano Shullazit, Gjergj Cukalit, Dritan Dajtit, Xhevdet Troplinit, Orges Jahelezit, Pajtim Serjanit, Emiljan Shegës dhe Klaus Matishit, ky i fundit i njohur ndryshe edhe si Kledian Çopja.

Operacioni Forca e Ligjit ka kërkuar që këta 19 persona të plotësojnë formularin e justifikimit të pasurive brenda një afati prej 48 orësh, ndërsa menjëherë më pas topi zhvendoset pranë Prokurorisë së Posaçme, e cila i jep verdiktin përfundimtar për sekuestrimin e pasurive.

Sipas gazetarit të Fax News, Sokol Dema, Operacioni Forca e Ligjit, sërish me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka ndërmarrë nismën në terren për sekuestrimin e një numri të madh pasurish, që në ditët e para të operacionit. Ardi Veliu e ka parë të arsyeshme që urdhri për disa prej sekuestrimeve të vendoset direkt, pa patur një dakordësi fillestare nga ana e SPAK.

Që në ditët e para, Operacioni Forcave e Ligjit ka ushtruar kontrolle dhe ka vendosur sekuestro për 10 persona të njohur të krimit, sidomos të personave që dyshohet se janë të përfshirë në pengmarrjen e 49-vjeçarit Jan Prenga, në datën 17 janar, në periferi të Kryeqytetit. Oficerët e Operacionit Forca e Ligjit kanë sekuestruar një numër të konsiderueshëm pasurish të 10 personave deri më tani, dhe më konkretisht të Altin Hajrit, Aldo Manishtës, M. Doçajt, Ardian Doçit, Gentian Finiqit, Artan Doçit, Martin Bletës, Saimir Taullaut, Dashamir Gjokës dhe Durim Bamit.

Kur Prokurorisë së Posaçme po i përfundon afati për një pjesë të formularëve të fillimit, deri tani akoma nuk është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme asnjë kërkesë për sekuestrimin e pronave të ndonjë personazhi që i është kërkuar plotësimi i formularëve. Me shumë mundësi, prokurorët e SPAK, të cilët kanë tashmë në duar të gjitha dosjet, do t’i dërgojnë ato në gjykatë vetëm në afatet përfundimtare, edhe për shkak të dosjeve të shumta që duhen shqyrtuar, por sidomos edhe për shkak të numrit të ulët të tyre, çfarë i bie një shtim jo i vogël i fluksit të punës.

E nëse SPAK akoma nuk ka dërguar asnjë kërkesë në gjykatë për formularët, deri më tani ka kthyer mbrapsht në Policinë e Shtetit disa prej sekuestrimeve që Operacioni Forca e Ligjit ka kryer në ditët e para. Sekuestro për resortin “Golden”, nën pronësi të Altin Hajrit, vendi ku Jan Prenga është transportuar pas pengmarrjes në Kamëz, është rikthyer në Policinë e Shtetit që të riplotësohet edhe njëherë me dokumentacion më të plotë dhe veprime të tjera, në mënyrë që SPAK të vendos nëse sekuestrimi është apo jo i rregullt. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka kthyer në Policinë e Shtetit edhe sekuestrimin e automjetit të Saimir Taullaut, me po të njëjtat arsye.

Operacioni Forca e Ligjit ndërkohë, përgjatë dy javëve të para të punës ka ushtruar kontrolle të shumta në të gjithë territorin e vendit, duke ndaluar drejtuesit e automjeteve të prodhuara në vitete e fundit dhe ka kërkuar dokumentacion të detajuar për ta.

OFL janë shpërndanë 19 formularë; SPAK kthen dy sekuestrime, asnjë kërkesë në GJKKO

/FAXWEB.AL

SHKARKO APP