Dy javë operacioni ”Bregdeti Ynë”/ Çuçi: Janë shembur 61 objekte, 29 të arrestuar dhe 94 milionë lekë gjoba

Në dy javë të operacionit “Bregdeti Ynë”, mësohet se janë shembur 61 objekte të ndërtuara pa leje. Shifrat i bëri publike ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa shton se gjobat e vendosura ndaj subjekteve deri më tani kapin vlerën e 94 milionë lekëve.

“Gjatë dy javëve të para të operacionit “Bregdeti Ynë”, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur 61 objekte pa leje në Velipojë, Shëngjin, Durrës e Ksamil. Vlera e gjobave të vendosura deri më tani ndaj subjekteve llogaritet në rreth 94 milionë lekë.

Policia e Shtetit ka arrestuar 29 persona, si dhe ka proceduar penalisht disa të tjerë. Operacioni do të vijojë në të gjitha zonat e bregdetit ku janë konstatuar ndërtime pa leje, për t’i çliruar këto hapësira nga zaptuesit dhe për të mos lejuar askënd që të bëjë çfarë të dojë me territorin.

Ka marrë fund koha e të ndërtuarit sipas qejfit në shkelje të ligjit dhe në shumë raste duke dëmtuar mjedisin. Pas vijës bregdetare IKMT dhe Policia e Shtetit do të shtrijnë operacionin e shembjes së ndërtimeve pa leje në pjesë të tjera të territorit”.

SHKARKO APP