Dy karikatorë me fishekë mbi personin e vrarë në Durrës, Ervin Kodra

 

Mbrëmë u vranë dy persona në mes të qytetit të Durrësit. Personi në foto është Ervin Kodra, 33 vjeç, një nga viktimat që u ekzekutua ditën e djeshme në një atentat mafioz në Durrës. Ai ka qenë duke lëvizur me makinë bashkë me Endri Çaushaj, 25 vjeç nga Vlora, kur është goditur me një breshëri automatiku. Të dy ata kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Kodra vite më parë ka qenë i përfshirë në një vrasje, ndaj dhe një nga pistat e hetimit për atentatin e mbrëmshëm, është hakmarrja.

Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 20:45 në lagjen numër 1, pranë hyrjes së Portit të Durrësit.

Persona të paidentifikuar  qëlluan me automatik në drejtim të automjetit BMW X6 me targa AA292IH, me të cilën lëviznin Ervin Kodra, 28 vjeç, nga Durrësi dhe Endri Caushaj nga Vlora, 25 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen në vend.Ndonëse u  ngritën postblloqe nuk ka ende asnjë të arrestuar në lidhje me krimin, ndërsa flitet për rreth 30 të shoqëruar si persona që mund të ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.

Autorët u siguruan për vrasjen

Sipas dëshmitarëve autorët i kanë prerë udhën automjetit me të cilin lëviznin durrsaku dhe vlonjati dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre. Fillimisht autorët kanë qëlluar nga përpara automjetin dhe më pasi, për t’u siguruar që misioni ishte kryer me sukses, vijuan të qëllonin në të dyja dyert e para. Për pasojë, drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri mbetën të vrarë. Makina doli nga kontrolli dhe u përplas me një automjet tjetër, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të “Urës së Dajlanit”.

Dëshmitarët dhe të shoqëruarit

Me dhjetra persona u bënë dëshmitarë okular të ngjarjes, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka mbetur i lënduar. Në polici janë shoqëruar rreth 30 vetë, si persona që kanë dijeni për ngjarjen ose mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorëve. Dhjetra gëzhoja janë gjetur në vendngjarje dëshmi se ndaj viktimave është qëlluar me breshëri automatiku.

Hetimet

 Agjentë të krimeve të rënda dhe zëvendës prokurori i Rrethit Sokol Nishani shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimin. Dy pistat në të cilat është përqëndruar policia janë: Hakmarrje dhe prishje pazaresh droge, por do të jenë hetimet ato që do të zbardhin shkaqet e vërteta të ngjarjes.

Ervin Kodra

Njëri prej viktimave të atentatit të djeshëm në 2008 ishte përfshirë në vrasjen e Saimir Ballës po në Durrës.  Kodra, asokohe u arrestua bashkë me Elvis Tefën, Orges Dervishin, dhe Ervin Kodrën. Ndaj Kodrës u ngrit akuza e  “përkrahjes së autorit të krimit” ndërkohë që ishte i dënuar më parë edhe për vepra të ndryshme penale.

 Vrasja e vitit 2008

Vrasja në 2008 ndodhi po në qendër të Durrësit. Gjatë hetimeve të ngjarjes së shtatë viteve më parë, rezultoi se ngjarja ishte një përplasje mes grupesh kriminale. Policia e Durrësit ka informacione se dy personat që mbetën të vrarë ishin të implikuar në një rrjet trafikimi lëndësh narkotike.

SHKARKO APP