Dy vdekje në Shqipëri pas vaksinës kineze, mjeku: Të ndërpritet procesi
Një 74-vjeçare nga Berati humbi jetën një ditë pasi mori vaskinën kineze Sinovac. Sipas ekspertëve, ajo vuante nga hipertensioni, pësoi trombozë. Kurse një 88-vjeçar nga Tirana humbi jetën dy ditë pas vaksinës kineze. Edhe ai mësohet se pati probleme me mushkërinë dhe pamjaftueshmëri me frymëmarrjen.
Mjeku Erion Dasho kërkon që të ndërpritet procesi i vaksinimit anti-covid në Shqipëri, kjo të paktën me vaksinën kineze ”CoronaVac”. Sipas tij, kjo duhet të bëhet derisa të provohen si të palidhura dy vdekjet në vend pasi të ndjerët kishin marrë vaksinën kineze.
”Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të Covid dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë”.
Kjo thirrje sipas trij, nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj Covid-19. ”Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës. Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm! Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht”,-shkruan në facebook mjeku.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se vaksina “nuk është shkak i humbjeve të jetës dhe se jo çdo vdekje pas vaksinimit ka lidhje me të”.