Dy vdekjet pas vaksinës kineze, Dasho: Hetim i përciptë nga Komiteti i Ekspertëve

Edhe pse mjekë në vend janë shprehur se janë dy humbje jete në Shqipëri pas marrjes së vaksinës kineze, Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore, doli në një deklaratë zyrtare, ku thotë se deri më sot nuk ka asnjë rast të fataliteteve që lidhen me vaksinën dhe procesin e vaksinimit ndaj Covid-19. Një hetim të përciptë e quan mjeku Erion Dasho, ku edhe thotë se ka mungesë certifikimi nga organizata të besueshme si EMA dhe FDA për vaksinën kineze.

”Të orientohemi drejt vaksinave që janë të certifikuar nga EMA e FDA dhe organizata të tjera të besueshme për qytetarët shqiptarë. Për coronavac kemi mungesë certifikimi nga këto organizata të besueshme kemi rast konkret, hetim të përciptë për të verifikuar lidhjen shkak-pasojë dhe një komitet që nuk ka asnjë besueshmëri për shqiptarët që jep një vendim të tillë. Nuk mund t’i besojmë këtij hetimi të kryer nga komitet i paaftë”,-tha për ”A2cnn”.

Nga ana tjetër, Dasho thekson se Shqipëria nuk ka kapacitet shkencore për të hetuar dhe e konsideron papërgjegjshëmri totale të Komitetit të Ekspertëve, daljen e menjëhershme në përfundim të hetimit. Sipas tij Shqipëria duhe ttë kishte ndjekur shembullin e EMA-s, e cila pezulloi procesin e vaksinimit sapo u ngritën dyshimet e para për Astrazeneca-n, për të mbrojtur qytetarët e tjerë.

”Është bërë publik një person me hipertension të kontrolluar që humbet jetën pas vaksinimit. Nuk ka nevojë për t’u mediatizuar por ka nevojë për një hetim, por për të mbrojtur qytetarët e tjerë nga situata të ngjashme nëse verifikohet lidhja mes vaksinës dhe humbjes së jetës. Shembullin e dha EMA kur u ngritën dyshimet për AstraZeneca, pezulloi për ditë të tëra vaksinimin, hetuan deri në fund dhe u deshën disa ditë për të analizuar rastet. Shqipëria e ka treguar veten të paaftë, por të paktën të kishin pasur konsensusin të hetonin 2-3 ditë të bënin sikur hetonin. Është papërgjegjshmëri totale të dalësh pas disa orësh në përfundim”,-tha më tej mjeku.

Fakti që Shqipëria ndryshoi qëndrim për vaksinën ruse e kineze, që merren përmes një ndërmjetësi dhe deklarata e pabesueshme në media, për mjekun janë këmbanë alarmi dhe është detyrim për qeverinë që të pezullojë për disa ditë vaksinimin me vaksinën kineze.

SHKARKO APP