Dy vëllezër grabitën argjendarinë, vodhën bizhuteri me vlerë 8 milionë lekë. Detajet si ka ndodhur ngjarja
Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy vëllezër pasi akuzohen se kanë grabitur një argjendari, nga e cila ka vjedhur një sasi bizhuterish me vlerë 8 milionë lekë të vjetra.
Në kudër të operacionit të koduar “Brothers”, u vunë në pranga shtetasit A. S., 27 vjeç dhe A. S., 29 vjeç, me precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjes.
Policia i sekuestroi një sasi me lëndë narkotike kokainë, disa sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e sendeve me vlerë, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjeti me të cilën u larguan autorët dhe sende të tjera të kundërligjshme.
“Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy shtetas kishin vjedhur argjendarinë në pronësi të shtetases Z. S. dhe më pas ishin larguar me një automjet tip “Benz”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Brothers”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. S., 27 vjeç dhe A. S., 29 vjeç ( vëllezër), banues në Tiranë, të dy të dënuar në Itali, për veprën penale “Vjedhja”.
Gjatë kontrollit të banesës së këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, disa sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e sende me vlerë, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjeti tip “Benz” me të cilin janë larguar, 2 aparate celular dhe një sasi valute”, sqaron policia.
Po ashtu policia thotë se vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.