Dy vepra penale për incidentin në magazinë, vijojnë hetimet për tragjedinë me 2 viktima në Lushnjë
Një grup ekspertësh janë rikthyer në magazinën në Lushnjë, e cila pasditen e së premtes u shndërrua në skenë krimi. Hetuesit po bëjnë një kqyrje në drite natyrale të vendngjarjes për të zbuluar shkakun e shpërthimit që mori dy jetë dhe lëndoi 7 persona të tjerë.
Në lidhje me incidentin te magazina e deputetit të PS-së, Bujar Çela, grupi hetimor ka identifikuar dy vepra penale. E para lidhet me shkeljen e rregullave të sigurisë në punë që lidhet me dy bombolat që përdoreshin për saldim, të cilat ishin jashtë çdo kriteri teknik dhe vepra tjetër e shpërdorimit të detyrës në lidhje me dhënien e lejes për këtë magazinë poshtë tensionit 110 kv.
Një prej bombolave vijon ende të jetë e varur në vinç dhe do të lëvizet nga ekspertët kur kqyrja e vendngjarjes të ketë përfunduar.
Nisur nga pamjet e kamerave të sigurisë të biznesit, dyshimi është se fillimisht një prej cilindrave ku po punohej për saldim, është thyer e ka marrë flake ç’ka ka bërë që bombola të rrëzohet në tokë dhe të krijohet shpërthim.
Për forcën e tij, tregon gropa e krijuar në vatrën e shpërthimit si dhe dëmet e shkaktuara në një rreze të gjerë, ku ndodhen shtëpi e biznese të tjera.