Dy viktimat çekë, ishin edhe për flamurin kuqezi në Shqipëri (Foto)

Dy të rinjtë çekë Michal Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe, u vranë pa asnjë mëshirë mbrëmjen e djeshme në një zonë të Dukagjinit, teksa ktheheshin pas një kampingu për në Shkodër.

Vetëm dy ditë para vrasjes, dy turistët çekë kishin postuar në rrjetet sociale, disa foto nga pushimet e tyre që po kalonin në Shqipëri.

Mes fotove të tyre, u transmetoheshin miqve dhe të afërmve në Çeki bukuritë natyrore të Shqipërisë si dhe një flamur i kombit shqiptar, ndërsa  ata shfaqeshin tepër të lumtur me pushimet në vendin tonë.

E ndërsa dy të rinjtë çekë po i bënin reklamën më të mirë Shqipërisë dhe imazhit të saj në Europë, dora e krimit  i ndëshkoi ata, bashkë me imazhin e vendit tonë.   

Pas ngjarjes, thuajse të gjithë shqiptarët në rrjetet sociale janë tronditur nga vrasja e tyre dhe i kërkojnë shtetit të gjejë dhe të ndëshkojë autorët.

Ka pasur edhe pakënaqësi nga ata që e njihnin zonën ku ndodhi krimi.

Zonat e Dukagjinit, nisur nga bukuritë natyrore, të huajt po i vizitonin vazhdimisht kohët fundit, ndërsa atje ende nuk kishte asnjë patrullë policie.

Me këtë ngjarje të rëndë ka të ngjarë që edhe shqiptarët janë trembur dhe e kanë tashmë më të vështirë të shkojnë për të vizituar Dukagjinin, çka është një goditje e madhe për turizmin.   

SHKARKO APP