Dy zv.drejtorë e 8 policë ikën me vrap, SHÇBA-ja nis hetim për policët që nuk shmangën “Elbasanin”
Dy zv. drejtorët e policisë së Elbasanit dhe 8 policë të forcës së posaçme “Shqiponja”, që ndodheshin në momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit, po verifikohen nga kolegët e tyre të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Hetimi nga SHÇBA, ka nisur ditën e sotme dhe ka shumë gjasa që të përfundojë me marrjen e masave administrative ndaj punonjësve të policisë.
Verifikimet e 10 policëve janë duke u kryer në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit. Burime pranë policisë së Elbasanit thanë për “Ora News” se po hetohen veprimet që kanë kryer 10 efektivë policie, përfshirë dy nën drejtorët e policisë së Qarkut Elbasan, ai i forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtorit të Qarkut Elbasan.
Ditën e sotme SHÇBA, ka sekuestruar rregullore dhe ka kërkuar planin e ndërhyrjes së trupës prej 10 policësh në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Njëherësh oficerët kanë kërkuar bisedat e policëve të realizuara në RADIO dhe telefonat e tyre për këtë ngjarje.
Sipas burimeve, SHÇBA-ja ka siguruar dëshmi nga banorë të zonës se policia, nuk ka ndërhyrë në asnjë moment edhe pse ka qenë në vendngjarje kur ka ndodhur përplasja me armë.
Banorë të lagjes kanë treguar se dy nën/drejtorët dhe 8 policët që ndodhen në vendin e ngjarjes, janë larguar me vrap, duke mos kryer asnjë veprim qoftë për të parandaluar ngjarjen, por qoftë për të kryer veprime për arrestimin e personave që u përfshinë në përqasjen me armë.
Thënien e banorëve përputhen me pamjet filmike të sekuestruara nga prokuroria. Asnjë nga efektivët e policisë që ndodhej prezent në vendngjarje nuk ka qëlluar me armë, por janë larguar menjëherë pas të shtënave.
Të paaftë për të reaguar kanë qenë dhe dy zv. drejtuesit e lartë të policisë Elbasan, Albert Nushi dhe Niko Palla, të cilët janë larguar me vrap. Pamjet filmike të sekuestruara në vendngjarje, tregojnë se së bashku me efektivët e policisë, është larguar me vrap dhe Klemend Xhaferi ose “Kel Çami”, i cili deri në këto momente rezulton i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit.
SHÇBA, po verifikon edhe punonjësit e sallës operative të Drejtorisë së Elbasanit, të cilët 1 orë para krimit kanë marrë telefonata nga qytetarët për prezencën e eskortës së tre furgonëve të PD-së dhe konstatimit të personave të armatosur. /Ora News