Dynden vlonjatët për të bërë vaksinën antigrip

Qytetarët e Vlorës kanë shfaqur interes të shtuar për vaksinën anti-grip edhe pse jemi në pandemi.

Këtë vit vaksinën sezonale të gripit mësohet se e kanë marrë 3-4 herë më shumë qytetarë.

Mjekët e qendrave shëndetësore në qytetin bregdetar flasin për një fluks vaksinimi.

Mjekja Dhurata Myrtaj thotë se virozat e stinës këtë periudhë kanë qenë krejtësisht normale, kjo edhe për shkak të fluksit të lart të vaksinimit të popullsisë.

” Nga nëntori, sa ka dalë vaksina e gripit njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe kanë ardhur e kanë bërë vaksinën. Duke e parë dhe që qarkullojnë shumë viroza, si Covid-19 që është tani dhe po merr shumë jetë njerëzish, njerëzit janë të interesuar dhe po vijnë po vaksinohen,” u shpreh ajo.

Mjekja Irini Rapushi konfirmon se frika nga koronavirusi ka shtuar më tepër ndërgjegjësimin për vaksinim anti-grip.

“Ka pasur një fluks shumë të shtuar edhe të personave të interesuar. Ishte paksa me numër të kufizuar për personat më me risk, kështu që ne kemi vaksinuar personelin shëndetësor. Në qendrën tonë janë marrë 1550 doza vaksina anti-grip, ku 38 nga këta kanë qenë personel dhe pastaj anëtarët në listë kanë qenë të sëmurët kronikë të cilët janë njoftuar nga ne me telefon,” tha mjekja Irini Rapushi.

“Më pas ka pasur interesim dhe nga persona të tjerë dhe kemi marrë edhe dozat e tjera. Janë vaksinuar gratë shtatzëna, mësuesit, obezët dhe nga ato që kanë mbetur edhe disa persona të shëndetshëm.”

Qytetarët shprehen se e kanë bërë vaksinën për tu mbrojtur nga gripi, dhe sipas tyre ato kanë rezultuar efektive.

“Unë kam më shumë se dy javë që e kam bërë dhe ka qenë shum e mirë. Më ka bërë efekt dhe nuk pa pasur efekte anësore,” u shpreh një banor.

Injeksioni kundër gripit sezonal në vendin tonë ka nisur që në muajin shtator të 2020 për grupet e riskut.

SHKARKO APP