Dyshekë në dysheme dhe gjumë me turne: Standardi i ri çnjerëzor i burgjeve

Nga Aleksandra Bogdani*

Në një ditë të ftohtë dhjetori, një kërkesë e pazakontë mbërriti në zyrat e Kryqit të Kuq në Tiranë. “Na ndihmoni me ç’të keni,” ishte kërkesa e zyrtarëve të rinj të administratës së burgjeve. Numri i të burgosurve sa vinte e rritej, ndërsa administrata ishte në vështirësi për t’u siguruar shtretër, dyshekë apo batanije.

Kryqi i Kuq, një organizatë bamirëse e sprovuar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në raste katastrofash u zu ngushtë, por megjithatë vendosi të ndërhynte në këtë emergjencë të panatyrshme për misionin e vet. “U dërguam 480 batanije, 30 dyshekë dhe 450 shampo nga fondi që ne mbajmë për katastrofat natyrore,” i tha BIRN-it sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Artur Katuçi.

“Është e pazakontë për ne që të japim ndihma për institucionet buxhetore, por burgjet janë disi delikate,” shtoi ai. Katuçi tregon se ndihmat e Kryqit të Kuq janë dërguar në tre burgje, në dhjetor të vitit 2013.

Një vit më pas situata në burgje është edhe më dramatike. Mbipopullimi ka arritur pikun e vet historik në 24 vitet e tranzicionit shqiptar dhe kushtet në burgjet shqiptare janë përkeqësuar ndjeshëm, nënvizojnë organizatat e të drejtave të njeriut. Dy raportet e fundit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Avokatit të Popullit, të siguruara nga BIRN, flasin për një shifër mes 6000 dhe 6022 personash që ndodhen aktualisht pas hekurave, ndërkohë që kapaciteti maksimal i sistemit shqiptar penitenciar, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është 4537 persona.

Rreth 1500 të burgosurit mbi normë flenë ku të munden; shumica përtokë, të tjerët në qeli të improvizuara brenda objekteve të kultit, dhomave të këshillimit apo zyrave të administratës.

Në raportet e monitorimit të Komitetit të Helsinkit dhe Avokatit të Popullit situata e mbipopullimit në burgje përshkruhet si shumë e rëndë, ku një qeli e vetme në burgun Rrogozhinës ndahet nga 21 të paraburgosur. “Në këtë dhomë, 14 veta flinin në shtretër marinarë, pesë të tjerë flinin me dyshekë përtokë dhe dy të fundit me turne,”thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Por burgu i Rrogozhinës nuk është i vetmi në këtë situatë. Nga 22 institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri, 20 prej tyre kishin nga 10 deri në 200 persona mbi kapacitet. Përveç dyshekëve dhe batanijeve, mungojnë paratë për të blerë solucione higjienike të mjaftueshme për ambientet e përbashkëta. Higjiena personale është kthyer gjithashtu në luks, ku larja 1 herë në javë ishte rasti më i mirë.

Dy organizatat që kanë bërë monitorime të veçanta bien në një mendje kur thonë se situata alarmante e mbipopullimit krijon kushte për cenimin e të drejtave të të burgosurve dhe trajtim çnjerëzor të tyre. E shoqëruar me mungesë buxheti dhe personeli shtesë, kjo situatë vështirëson jetesën pas hekurave dhe krijon premisa për agresivitet dhe rritje të kriminalitetit në këto institucione.

BIRN iu drejtua me dy kërkesa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve-për t’u lejuar të vizitojë një institucion paraburgimi dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga KSHH dhe Avokati i Popullit. Të dyja kërkesat nuk morën përgjigje.

Armata e të arrestuarve

Një grumbull i madh valixhesh, qesesh plastike dhe çantash janë bërë kapicë në hyrje të paraburgimit “Mine Peza” në Tiranë. Është e hënë vizitash dhe një duzinë njerëzish presin në shi hapjen e portës prej hekuri.

Zhurma metalike shoqëron hapjen e një frengjie të vogël dhe i shtyn ata instiktivisht drejt çantave, por zëri i thatë i rojes i kthen në pozicionin fillestar.

“Prisni dhe ca se nuk kanë mbaruar punë gardianët,” ia pret roja dhe mbyll sërish dritaren. Një gruaje të imët, të mbërthyer deri tek sytë nga një shall i trashë i shtohet ankthi me kalimin e minutave.

“Nuk di si do ta gjej këtë herë tim bir. Lëkura i është bërë plagë nga myku i qelisë, ndërsa i nxjerrin gjithnjë e më rrallë në ajrim për shkak të mbipopullimit,’ thotë nëna e të burgosurit- një 21 vjeçar i arrestuar gjashtë muaj më parë, pasi u kap nga policia me 4 gram hashash.

Gruaja punon si shërbyese dhe tregon se me zor ia kishte dalë të përgatiste pakot e së hënës për të birin- në të parën ushqimet e javës dhe në të dytën ndërresat e lara. Brenda atyre qeseve ndahen dhe përgjegjësitë mes drejtuesve të burgjeve dhe familjarëve të të burgosurve, që së bashku ndajnë kostot dhe vështirësitë e jetës në paraburgim.

Nëna e të burgosurit i njeh me detaje kushtet e të birit brenda hekurave, të cilat i mëson javë pas jave në takimet me të. “Në qeli u kanë çuar dy të rinj, të arrestuar për energjinë. Flenë përtokë të zinjtë,” thotë ajo.

Mbipopullimi është një gangrenë e vjetër e sistemit të amortizuar të burgjeve në Shqipëri. Megjithatë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Avokati i Popullit vërejnë se dyndja aktuale është e pangjarë më parë dhe e përhapur në 22 institucionet e privimit të lirisë.

Arsyet për këtë mbipopullim të skajshëm i faturohen disa operacioneve masive, që qeveria “Rama” ka ndërmarrë gjatë vitit të shkuar e që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike, ndërtimet pa leje dhe ashpërsimin e masave për shkelësit e qarkullimit rrugor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2014 janë arrestuar 2581 persona nga policia rrugore, 758 të tjerë për vjedhje të energjisë elektrike dhe dhjetëra për ndërtimet pa leje nga totali prej 1572 njerëzish të proceduar penalisht.

Ky grup i ri të arrestuarish u është bashkuar kohë pas kohe  të paraburgosurve të tjerë për krime nga më të ndryshmet në burgjet ku mungojnë hapësira, shtretër e pajisje të tjera për një fluks kaq të lartë.

Kryetarja e KSHH-së, Vjollça Meçaj i tha BIRN-it se një vendim i Gjykatës së Strasburgut i detyron vendet anëtare që kur arrestojnë dikë, duhet ta dinë nëse ka vend të lirë në burg. Një gjë e tillë, nuk ndodh aktualisht në Shqipëri.

“Politika e burgut, e ndërmarrë nga qeveria është e gabuar. Ajo rrit kostot për sistemin, krijon premisa për shkeljen e të drejtave të njeriut në burg dhe i zhyt njerëzit në vështirësi edhe më të mëdha financiare,” thotë Meçe.

Kostot e dyfishta:

Në rrugën “Berisha” në Kamëz, familja e një tregtari në arrest shtëpie për vjedhje energjie  po bën llogaritë e dëmit. Shkelësi nën arrest refuzon të flasë nga frika e rikthimit në qeli, por vëllai i tij është i gatshëm të rrëfejë kalvarin 2-javor në këmbim të anonimatit.

“Ata që arrestohen kanë vështirësi të rrinë mbyllur, por kusuret i heqin familjarët,” thotë ai, ndërsa rreshton setin e produkteve që i duhen një të burgosuri për të mbijetuar në qeli.

Tregtari nga Kamza kishte kaluar 2 javë paraburgim në burgun 302 në Tiranë. Në dhomë ishin 6 veta, tre prej të cilëve flinin përtokë, ndërsa dalja në ajër të pastër konsiderohej prej tij si i vetmi aktivitet i kryer në burg.

Tregtari rrëfen se “paketa javore” për të vëllanë në burg përfshinte ushqime, ndërresa të lara, batanije, çarçafë dhe para të thata, të depozituara në llogarinë personale. Buxheti i familjes rëndohej gjithashtu nga kostot e transportit dhe një ditë të harxhuar dëm nga vizitori në burg.

“Shpenzimi minimal javor për një të burgosur shkon në 8 mijë lekë të reja. Dy javët e burgut të tim vëllai ne na kushtuan 25 mijë lekë të reja, pasi depozituam edhe 10 mijë lekë në llogarinë e tij personale për t’i shpenzuar në dyqanin e burgut,’ thotë ai.

Kjo shumë është veçse një pjesë e vogël e dëmit ekonomik që llogarit familja nga Kamza, pasi arrestimi i të zotit u shoqërua përveç ankthit, edhe me mbylljen e dyerve të biznesit të tij.

Kostot e familjarëve janë pothuajse të barabarta me shumën që shpenzon buxheti i shtetit për një të burgosur. Një i burgosur u kushton taksapaguesve shqiptarë 57 mijë lekë të reja në muaj, pa përfshirë këtu rrogat e administratës dhe shpenzimet operative.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve merr aktualisht pjesën e “luanit” në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 2014, Shqipëria shpenzoi rreth 3.8 miliardë lekë të reja për burgjet, ndërsa buxheti i këtij viti është rritur në 4.3 miliardë lekë.

Kryetarja e KSHH-së, Vjollca Meçaj ngulmon që burgu nuk duhet të shihet si e vetmja alternativë. Ajo argumenton se Shqipëria duhet të heqë dorë nga tradita e kohës së komunizmit dhe të shkojë drejt aplikimit të dënimeve alternative.

“Nevojitet ndërhyrja e të gjithë aktorëve, politikë apo sistemi gjyqësor për të mos e parë masën e sigurisë me burg si të vetmit mjet. Politika duhet të mbyllë gojën dhe të mos përzihet me dënimet që japin gjykatat, ndërsa duhen parë instrumentet për çlirimin e politikës penale,” përfundon ajo.

*BIRN

SHKARKO APP