Dyshohet për trafik droge, vlonjatit i sekuestrohen miliona euro pasuri
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka dhënë vendiminm për të sekuestruar disa pasuri të Ilia Ziut. Konkretisht bëhet me dije se janë sekuestruar 2 pasuri të paluajtshme të llojit arë, 4 apartamente banimi, 2 poste parkimi, 1 njësi tregtare dyqan dhe 1 autoveturë.
Kujtojmë se Ziu është duke u hetuar nga prokuroria mbi dyshimet për trafik të lëndëve narkotike.
Për këtë arsye pasuria e tij dhe të afërmeve të tij është sekuestruar mbi dyshimet se është vendosur nga aktiviteti kriminal.
Njoftimi i plotë i prokurorisë mbi sekuestron
Vlorë, 30 korrik 2021. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë në bazë të ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ka regjistruar dhe po kryen hetime për procedimin pasuror penal nr. 3, datë 26.07.2021, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Ilia Ziu, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve” të parashikuar nga nenet 283 dhe 283/a të Kodit Penal, si dhe pasuritë në emër të të afërmve të tij dhe personat fizikë, konkretisht shtetasve E.Z dhe Ll.Z., për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë e tyre zotërohen në mënyrë të tërthortë nga shtetasi I.Z.
Në funksion të këtij procedimi pasuror, mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me vendimin nr. 237, datë 29.07.2021, ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë (2 pasuri të paluajtshme të llojit arë, 4 apartamente banimi, 2 poste parkimi, 1 njësi tregtare dyqan dhe 1 autoveturë)
Pasuri e llojit “arë”, me sipërfaqe 702 m2 Siptallë.
Pasuria e llojit “arë”, me sipërfaqe 902 m2, Siptallë.
Apartament banimi sipërfaqe 109 m2, në Sarandë, porositur nga shtetasja E.Z.
Apartament banimi” me sipërfaqe 77.75 m2 Sarandë.
Apartament me sipërfaqe 110.07 m2 në Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.
Apartament me sipërfaqe 70.03 m2 të ndodhur në rr. Kavajës, Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.
Post parkimi me sipërfaqe të shfrytëzueshme 12.5 m2, Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.
Post parkimi me sipërfaqe të shfrytëzueshme 12.5 m2, ndodhur në Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.
Njësi tregëtare (dyqan)” me sipërfaqe 291 m2, porositur nga shtetasja E.Z.
Autoveturë e markës “Toyota”, Tipi “J12”, modeli “Land Criuser”, në pronësi të shtetasit I.Z.
Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 14 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, është nxjerrë nga prokurori urdhëri i ekzekutimit, i cili u është dërguar për ekzekutim/zbatim shërbimeve e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë, si dhe Agjencisë Shtetëror të Kadastrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë.