E arrestuara për vjedhjen e barnave: Firmosa me urdhër për vendin e punës

 

Gjykata e Tiranës liron nga qelia drejtuesit teknikë të farmacive të dyshuara si pjesë e skemës së mashtrimit, ndërsa lë në arrest shtëpie punonjëset e Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Avokati: Klienten time e detyruan të firmosë kontrata.

 

Drejtori Rajonal i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani dhe pronari i farmacive të përfshira në skemën e mashtrimit, Hysni Roci, janë dy prej 9 të arrestuarve që do të qëndrojnë në qeli për skandalin e ilaçeve. Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë për zyrtarin e lartë të Fondit, ndërsa urdhëroi lirimin nga qelia të drejtuesve teknikë të katër farmacive të përfshira në skemën e mashtrimit me rimbursimin e recetave fiktive.

Për tri punonjëset e Fondit të Sigurimeve, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për shkak të kushteve familjare të të ndaluarave. E para që hyri në sallën e gjyqit ishte Frida Lamçe, specialiste e kontrollit pranë Fondit të Sigurimit, e cila nisi të qajë teksa avokati po e shfajësonte në sallën e gjyqit.

Sipas avokatit, e mbrojtura prej tij ka qenë e detyruar të firmoste dokumentet, pasi është kërcënuar me pushim nga puna. Mbrojtësi ligjor i punonjëses së Fondit të Sigurimeve i tha gjykatës se e përfaqësuara prej tij është thirrur nga eprorët dhe i është kërkuar të firmosë kontratat me farmacitë fiktive, përndryshe ajo është kërcënuar se do të largohej nga puna.

Për këtë shtetase prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 15 ditë, ndërsa gjykata caktoi “arrest shtëpie”. Pas saj, në sallën e gjyqit u paraqit kreu i Fondit të Sigurimeve, Pjerin Xhuvani, i cili mohoi akuzat, por pavarësisht këtij qëndrimi, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

I vetmi që ka pranuar përfshirjen në skemën e mashtrimit është Hysni Roci, pronari i farmacive, që sipas prokurorisë kanë përfituar rreth 560 milionë lekë me receta fiktive. Ai ka kërkuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të rrëfejë gjithë skemën e mashtrimit në këmbim të lirisë së gjithë personave të ndaluar për këtë çështje, përfshi dhe drejtorin rajonal, Pjerin Xhuvani. Ndaj të dyshuarve po hetohet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe mashtrim me subvencionet.

SHKARKO APP