“E bleva drogën në anë të rrugës”, akuza kërkon 11 vjet burg ndaj grekes

 Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dënimin me 11 vjet burg për shtetasen greke, Maria Ktazogou, e akuzuar për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim.

Procesi ndaj saj u zhvillua me gjykim të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit nëse shpallet fajtore.

E pandehura është arrestuar më 2 dhjetor 2014 në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, teksa po dilte nga Shqipëria, në tentativë për të trafikuar rreth 28 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të cilën e kishte fshehur në automjetin e saj.

Në bazë të hetimit rezultoi se Ktazogou, për të shmangur dyshimet në kontrollin kufitar, kishte marrë me vete edhe vajzën e saj të mitur 3-vjeçare.

Fillimisht, e pandehura deklaroi se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike në mjetin e saj. Por më pas, deklaroi se e kishte blerë për përdorim vetjak dhe për qëllim shitje.

 Sa i përket vendit ku e kishte blerë, prezantoi një version të vështirë për t’u besuar.

Sipas saj, në intenerarin e kthimit nga Gjirokastra për në territorin grek, ajo kishte parë një person që shiste lëndën narkotike në anë të rrugës dhe pasi kishte ndaluar, e kishte blerë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda janë kryer një seri veprimesh hetimore, nga të cilat rezultoi se e pandehura ka bashkëpunuar në trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi por u kap në pikën kufitare në Kakavijë nga policia shqiptare.

SHKARKO APP