E dhimbshme, qyteti 2400 vjeçar në duart e injorancës, shtrohet me beton!
Aktualitet E Diel, 30 Maj 2021 13:01
Nga Xhovani Shyti-
Pedonalja e Beratit, qytetit me moshë minimalisht 2400 vjeçare, po shtrohet me gurishte betoni, që e kanë zanafillën e prodhimit në fillimvitet 1900, dhe jo me zaje lumi, siç është tradita e këtij qyteti që historikisht ka mahnitur të huajt. Pra, rrjedhimisht, poshtë Kalasë e lagjeve qindra mijëra vjeçare “Mangalem” e “Goricë”, do të qëndrojë pedonalja së bashku me sheshin qëndror të qytetit, të miratuara për tu shtruar me “gurishte” betoni, të ngjashme me ato të bulevardit qendror të Tiranës, që i përket viteve 1920 dhe është ndërtuar nga italianët.
Tallje dhe injorancë më të madhe nuk ka. Gjithçka bëhet për të zhvatur para, me komentuan shumë nga bashkëqytetasit e mi, të cilëve i rreh shpirti për qytetin, por që nuk kanë gjë në dorë për ta ndalur mysybetin e betonizimit të pedonales.
Sot u ktheva nga i shumë shkëlqyeri qytet ndërshekullor, nga Berati im, nga Berati ynë, që pas rënies në duar satrapesh administrative injorante është kthyer në ”i ngratë”. Për arsye pune, kisha muaj pa e vizituar, ndaj shkova me qejf të madh, por u ndjeva ligsht tek konstatova faktin e mësipërm. Po pse, mendoja dhe vazhdoj të mendoj më vete, zor e kishin të organizonin aksione me nxënësit e shkollave për të mbledhur zaje lumi dhe të bënin me to kalldremin tradicional. Si dikur, si atëherë, si në kohën e shkuar nën diktaturë, kur të tilla aksione ishin prezente sa herë dilte nevoja për të mëremetuar rrugët e rrugicat muzeale.
Nëse do të ishte vendosur që pedonalja të shtrohej me zaje lume dhe jo me “gurishte” betoni, e nëse do të ishte vendosur që zajet të mblidheshin me aksion, përveçse do të ishte arritur ti vishej të madhërishmit qytet kostumi i duhur, do të ishin kursyer edhe jo pak para, nga fondi me të cilin paguhet prodhuesi i “gurishteve” të betonit. Sepse vërtet fondi i investuar për ndërtimin e kësaj pedonaleje është para donatorësh të huaj, amerikanësh mesa me informuan, jam i bindur që shtrimi i sipërfaqëve me gurë betoni, dhe jo me kalldremin karakteristik me zaje lumi, është vepër e kompetenteve vendas, të cilët preferojnë më shumë pazaret sesa vlerat.
Me shtrimin e pedonales 2014, po bëhet i njëjti gabim trashanik që u bë në pasvitet ’70-të, kur rrugës kryesore që të shpie në Kalanë e lashtë me themele guri Ilir, i’a shqyen kalldremin e trashëguar nëpër shekuj me zaje lumi dhe e zëvëndësuan me gurë të bardhë të skalitur, që nuk janë karakteristik e arkitekturës rrugore të Beratit të lashtësisë, por e asaj të Gjirokastrës. Për këtë arsye ky kalldrëm stonon edhe sot e kësaj dite, duke qenë pjesë e huaj për kompleksin rrethues të kësaj zone muzeale.
Po e njëjta gjë do të jetë prezente edhe pas përfundimit të pedonales, e cila kurrësesi nuk mund të jetë në harmoni historiko-estetike me banesat karakteristike të lagjeve “Kala”, “Mangalem”, “Goricë” etj., rrugët e rrugicat e të cilave janë të shtruara me kalldremin karakteristik prej zajesh lumi, dhe jo me prodhime betoni apo guri të skalitur.
KOHA JONË SONDAZH