E diela e Pashkës/ Tirana e paqtë larg zhurmës dhe smogut të makinave, nën dekorin e festës

E diela e kësaj Pashke ka risjellë paqen larg zhurmave dhe smogut në Tiranën pa makina. Qendra, Bulevardi, sheshet ishin të lira për qytetarët që këtë ditë zgjodhën të bënin shëtitje në këmbë, me biçikletë, apo edhe t’i bashkoheshin mini klubeve sportive për fëmijë e të rritur në hapësirën pa makina që tashmë do të jetë çdo të dielë në kryeqytet.

Atmosfera e Pashkës e vezët shumëngjyrëshe kanë zbukuruar edhe më tepër qytetin e Tiranës, që sikurse çdo vit e ditë të shënuara, edhe në këtë festë u kthyen në lajtmotiv të dekorimeve në sheshin qendror, por edhe buzë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Të apasionuarit pas sporteve dhe garave kanë shfrytëzuar rrugët pa makina për aktivitetet në ajër të pastër. E diela pa makina do të kthehet në një traditë nga Bashkia e Tiranës. Nga kjo fundjavë, çdo e dielë i dedikohet këmbësorëve dhe dyrrotakëve.

SHKARKO APP