E dini sa bileta ka për tifozët shqiptarë në Francë?

 

Dalin biletat qe i takojne tifozeve shqiptare.

11 qershor, ora 15:00 në Lens. Kjo është data për t’u shënuar në kalendar, për debutimin historik të Shqipërisë në Euro 2016. Përfaqësuesja kuqezi luan ndeshjen e parë të Grupit A në Lens.

Federatës Shqiptare të Futbollit do t’i shpërndahen 5730 bileta, që sipas rregullores përbëjnë 15 për qind të kapacitetit, për ndeshjen e parë ndaj Zvicrës e cila do të luhet me 11 qershor në Lens.

E njëjta shifër do të jetë edhe në dispozicion të Zvicrës, ndërsa 70 për qind e vendeve cilësohen neutrale. Fakti është që tifozët shqiptarë mund të jenë në stadium duke blerë bileta si nga Zvicra, por ashtu edhe si spektatorë të thjeshtë, me dokumente të vendeve ku jetojnë.

Ndeshja e dytë e Shqipërisë është ajo e 15 Qershorit në orën 21:00 kundër Francës në Marseille. Një qytet me pasionin për futbollin, por që mbi të gjitha është i veçantë për kapitenin kuqezi, Lorik Cana, i cili ka aty shtëpinë dhe është një prej idhujve të tifozerisë.

Stade Velodrome është rinovuar në vitin 2012 dhe ka kapacitet prej afro 67,400 vende. Ky është impianti i dytë më i madh i Euro 2016, pas Stade de France.

Sipas rregullores, tifozëve shqiptarë u takojnë zyrtarisht 10110 vende, ashtu sikundër edhe vendit organizator. Por, edhe në këtë rast mbështetësit kuqezi pritet të jenë të shumtë në numër prej gjeografisë së qytetit në jug të Francës, ku është mjaft afër Italisë dhe Zvicrës. Në total në Stade Velodrome do të luhen katër ndeshje të grupeve, një në fazën e 1/8-ave dhe një gjysmëfinale.

Ndeshja e fundit në grup për Kombëtaren shqiptarë është ajo e 19 qershorit, kundër Rumanisë në orën 21:00 në Lyon. Stade des Lumières është stadiumi i tretë më i madh i evenimentit në Francë, me kapacitet 59,500 vende.

Zyrtarisht, për tifozët shqiptarë do të jenë në dispozicion më pak se 8900, por sërish afërsia e qytetit me shtete si Italia e Zvicra, pritet të ndikojë që edhe ky stadium të vishet kuqezi.

Impianti nisi rikonstruktimin në verën e vitit 2013 dhe pritet të përfundojnë në Janar 2016, për një kosto që përllogaritet deri në 450 milionë euro.

SHKARKO APP