E “dogjën” videot e Tik Tok-ut, KLGJ zbardh vendimin për Enkeleda Kapedanin

Pasi e pezulloi nga detyra, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbardhur vendimin për gjyqtaren e videove në “Tik-Tok” Enkeleda Kapedani.

Sipas dokumentit të siguruar nga Panorama.al, KLGJ i ka lënë disa detyra Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për të bërë disa verifikime ndaj gjyqtares.

ILD duhet që të përcaktojë një ekspert të IT-së për të bërë zbuluar se kush i ka publikuar videot e famshme të Kapedanit në rrjetin social “Tik-Tok”.

Veç kësaj, duhet që ILD të dokumentojë dhe tekstet e këngëve që janë në sfond të videove që gjyqtarja kishte realizuar.

Një tjetër detyrë për këtë institucion është dhe zbulimi dhe verifikimi i të gjithë personave që kanë pasur akses në videot e Enkeleda Kapedanit.

KONKLUZIONET E KLGJ-SË

Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm dokumentimi i tekstit të këngëve që shoqërojnë në sfond muzikor videot me imazhin personal të magjistrates, që nga ILD janë vlerësuar me natyrë jo të hijshme dhe të përshtatshme për imazhin e një magjistrati.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm administrimi i të dhënave profesionale të magjistrates, në drejtim të rezultateve në punë, eficencën dhe produktivitetin e saj. Të dhënat profesionale të magjistratit përcaktohen si një nga kriteret e caktimit të masës disiplinore sipas nenit 115, pika 1, shkronja “ç”, të Ligjit për Statusin, ndaj në çdo rast është i nevojshëm administrimi i këtyre të dhënave.

Mbi sa sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se në rastin konkret ekzistojnë shkaqet për marrjen e masës provizore të pezullimit nga detyra të magjistrates {…} në zbatim të nenit 152, pika 2, të Ligjit për Statusin, duke vlerësuar se ky pezullim është në interes të detyrës, por edhe referuar natyrës së shkeljes që i është atribuuar asaj, duke vlerësuar se vazhdimi në detyrë i magjistrates së proceduar disiplinarisht, në kontekstin e kryerjes së hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore, do të dëmtonte rezultatin e procedimit disiplinor dhe pengonte arritjen e një konkluzioni të drejtë dhe të rregullt në lidhje me të.

Po ashtu, sikurse u parashtrua, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se në rastin konkret ekzistojnë shkaqe për t’i kërkuar ILD kryerjen e hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore të atribuuar magjistrates {…} në zbatim të nenit 152, pika 4, të Ligjit për Statusin, për elementet e munguar si më lart. Por pavarësisht specifikimit më sipër të këtyre elementeve të munguar, ILD mund hetime të mëtejshme edhe në çdo aspekt tjetër që mund të vlerësojë të nevojshme dhe të dobishme për shkeljen disiplinore.

SHKARKO APP