E frikshme/ 12-vjeçarja nga Gjirokastra pre e lojës ‘Balena Blu’, 10 ditë pa ngrënë
GJIROKASTER-Loja vrasëse ‘Balena Blu’ po gjen shtrirje të gjerë gjeografike edhe në Shqipëri. E ndërsa mendohet se më të rrezikuar janë fëmijët e zonave urbane, në Gjirokastër ka ndodhur krejt e kundërta. Një 12 vjecare, banore në një prej zonave rurale të qytetit ka rënë pre e kësaj loje. Kanë qenë shokët e klasës ata që kanë vënë re të parët ndryshimet e saj në sjellje dhe humor, ndërsa fati deshi që pikërisht ditën e fundit të shkollës të identifikonin tek ajo edhe shenjat e vetëplagosjes. Burime nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër pohojnë se e mitura rrjedh nga një familje me prindër me probleme psikologjike dhe kjo është një ndër arsyet e mospikasjes së ndryshimit të saj në sjellje. Por rreziku i rënies në kthetrat e kësaj loje është i pranishëm në çdo familje dhe grupmoshë pavarësisht gjendjes së tyre sociale dhe ekonomike.
Menjëherë pas identifikimit të rastit në Gjirokastër, Drejtoria Arsimore dhe psikologët kanë marrë masa për trajtimin e fëmijës. Hapi i parë ka qenë denoncimi në polici pranë zyrës së krimit kibernetik dhe shkëputja e fëmijës nga të gjitha mjetet e kontaktit me internetin.
Loja online e quajtur “Balena Blu” që sipas të dhënave nga mediat ndërkombëtare, mund të ketë vrarë mbi 140 fëmijë dhe adoleshentë vetëm në Rusi, mesa duket përbën rrezik potencial edhe për fëmijët shqiptarë, pasi ka mbërritur prej kohësh në rrjetet sociale të adoleshentëve më së shumti në Messengerin e Facebook-ut. Për këtë janë sërish fëmijët që sqarojnë sesi kontaktohen nga drejtuesit e lojës.
Torturat e njëpasnjëshme nga kërkesat e një të panjohuri nisin përmes një presioni psikologjik dhe fëmijët krijojnë varësi nga një njeri i panjohur përtej kompjuterit. Fëmijëve iu kërkohen sfida të vështira dhe të dhimbshme, si p.sh të presësh veten me thikë, të zgjohesh në orën 4:20 të mëngjesit për të parë videot horror që të dërgon personi anonim dhe sfida të tjera të dhimbshme që i jepen fëmijës për 50 ditë, deri në sfidën e fundit: Të hidhen nga tarraca e një pallati të lartë për tu shpallur fitues i sfidës.
Personi që e krijoi këtë lojë, një 21- vjeçar rus, pak kohë më parë deklaroi se objektivi ishin pikërisht fëmijët, të cilët i quajti “mbetje biologjike” dhe pretendoi se po “pastronte shoqërinë”. Philip Budeikin ndodhet aktualisht në burg pasi akuzohet se ka çuar drejt vetëvrasjes të paktën 16 vajza të reja në Rusi.
KOHA JONË SONDAZH

