E hëna ditë zie, bashkia e Selenicës 12 mln lekë për familjet e viktimave
E hëna do të jetë ditë zie në Bashkinë e Selenicës. Vendimi është marrë në mbledhjen emergjente të Këshillit Bashkiak, ku me propozim të bashkisë janë miratuar dy projektvendime. Këshilli Bashkiak i ka miratuar në unanimitet vendimet dhe më pas është nisur për në familjet e viktimave, të cilat do të përcillen në orën 14:00 në banesën e fundit.
Autori i vrasjes së 8 personave pasditen e së premtes në Resulaj të Selenicës, në Vlorë, u kap mëngjesin e së shtunës nga forcat e policisë, pas disa orëve kërkimi dhe ndjekjeje, në rrethinat afër këtij fshati.
Sipas informacioneve nga terreni, operacioni për kapjen e Ridvan Zykës, gjatë kohës që ai ishte fshehur, është zhvilluar pa situata që mund të vinin në rrezik komunitetin e zonës, ndërsa është gjetur edhe arma me të cilën u krye krimi.
Sherri, siç mësohet nga hetuesit, nisi pas festës së fshatit. Autori ka debatuar me njërën nga viktimat për një gardh, prej së cilës është ofenduar e në gjakftohtësi e sipër ka shkuar të marrë armën me të cilën kreu aktin makabër.
Pasi kreu vrasjet, Ridvan Zykaj u largua me shpejtësi nga vendngjarja. Policia e Vlorës e kapi atë me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s, pasi rrethoi të gjithë zonën përreth fshatit Resulaj.
Ekspertët e policisë nuk kanë ende një motiv të qartë të shkakut të ngjarjes. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipëri, pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.
KOHA JONË SONDAZH

