E hëna vjen me acar, temperaturat do shkojnë deri -12 gradë

Meteorologët parashikojnë ulje të temperaturave gjatë javës në vijim.  Jemi në kulmin e dimrit, pasi lamë pas dhjetorin ku temperaturat ishin jo tipike dimërore, me 2- 3 gradë më të larta se zakonisht na presin ditë të acarta.

Ndryshimi nis javën që vjen. Duke nisur nga dita e hënën do të kemi ardhje të masave ajrore që vijnë nga veri verilindja, që kanë përfshirë Europën Qëndrore. Gjermania, Zvicra e Franca po përjetojnë temperature të acarta.

“Presim që ky ajër të zbresë drejt Ballkanit. Parashikohet të qëndrojë shumë pak. Të hënën dhe të martën temperaturat do të shkojnë në vlerën minimale në -11, -12 gradë celcius në zonat malore, kryesisht verilindja dhe juglindja presin këto temperature në ndonjë zonë të veçantë”, thotë sinoptikania e “Meteoalb”, Lajla Porja.

Edhe bregdeti dhe zona e ulët do të kenë temperature të ulëta. Edhe në Tiranë pritet që gjatë këtyre dy ditëve të shkojë edhe në -2 gradë dhe vlerat maksimale të jenë jo më shumë se 11- 12 gradë.

Këto vlera do të jenë deri të mërkurën. Më pas do të kemi rritje të temperaturave me 2-3 gradë. Deri në mesin e janarit pritet të kemi rritje të temperaturave. Në vlerë negative do të jenë vetëm zonat malore.

Gjatë fundjavës pritet të ketë vranësira në të gjithë territorin. Prania e vranësirave dhe lagështirës parashikohet që të ftohtin do ta ndjejmë edhe më shumë. Ndërkohë në zonat malore. Verilindja dhe juglindja do të ketë me reshje bore. Dëborë do të ketë dhe në Llogara, Përmet.

Ulje të temperaturave parashikon dhe Shërbimi Meteoroloigjik Ushtarak (SHMU). Në parashikimin e përditshëm të botuar në adresën zyrtare në Facebook, SHMU njofton se “Ditën e diel, moti në vend parashikohet me vranësira mesatare e të dendura përgjatë lindjes. Gjatë ditës do të bëhen të pranishme reshje të lehta bore në veri, verilindje, jug dhe juglindje, ndërsa në bregdetin jugor reshje shiu të dobëta.

Për të gjithë ju që do të udhëtoni, era do të fryjë me drejtim verilindje-veri, e prej orëve të mesditës fiton shpejtësi e vrullshme dhe me rrahje në të gjithë bregdetin, zonat e ulëta e lugina. Në brigjet e Jonit, stuhi ere. Kjo situatë, do të sjellë shtim të dallgëzimit të forcës 6-7 ballë.
Kujdes i veçantë duhet të tregohet nga ngricat që do të jenë të pranishme në të gjithë vendin në mëngjes e kryesisht në mbrëmje.
Temperaturat, do të pësojnë rënie e cila do të jetë e ndjeshme në orët e pasdites e të mbrëmjes, më konkretisht në:
zonat malore -6ºC deri në 0ºC
zonat e ulëta -2ºC deri në 10ºC
zonat bregdetare -1ºC deri në 11ºC
Fundjavë të bukur në vazhdim!”.

SHKARKO APP