E kërkonte Gjermania si pjesë e ISIS, gjykata vendos për të riun nga Taxhikistani
Këtë të premte, Gjykata e Tiranës vendosi që të ekstradohet në Gjermani shtetasi nga Taxhikistani, Komrov Zukurov. Ai kërkohej nga drejtësia gjermane si pjesë e një celule të ISIS-it. Mësohet se i riu ka qenë dakord me kërkesën e prokurorisë për ekstradim, por ka kërkuar që të mos ekstradohet nga atje në ndonjë vend tjetër si Taxhikistani, ku mund t’i rrezikohet jeta.
Më 2 maj, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 24-vjeçarin Komron Zukhurov, i dyshuar si anëtar i një celule terroriste të ISIS në Gjermani. Zukhurov, i njohur edhe me emrat Brugeman Komron dhe Komron Zuhurov, u arrestua në Tiranë, në zbatim të një urdhër-arresti të një gjykate federale gjermane. 24-vjeçari u përfaqësua në seancë nga ish-deputeti Asllan Dogjani, në banesën e të cilit ka qëndruar në Shqipëri, për shkak të lidhjes familjare me bashkëshorten e tij.
Policia tha se Zukhurov u arrestua gjatë operacionit “Vizitori”, por avokati pretendon të kundërtën. Përmes avokatit, i akuzuari për “terrorizëm” ka dhënë pëlqim të ekstradohet drejt Gjermanisë, por me një kusht, që Gjermania, në përfundim të procesit hetimor apo gjyqësor, të mos e ekstradojë në Taxhikistan.