”E lanë në karrige dhe pa skaner”, QSUT për akuzat e familjarëve: I bëmë të gjitha shërbimet, vdiq nga mushkëria

Spitali Infektiv mohon pretendimet e familjarëve të Rifat Lalos, i cili humbi jetën një ditë më parë në këtë spital për shkak të infektimit nga Covid-19. Në një deklaratë për mediat, QSUT thotë se pacientit në fjalë i janë bërë të gjitha ekzaminimet sipas protokollit, përkundër komunikimit të acaruar me familjarët, por ai ndërroi jetë si pasojë për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital. Për këtë, QSUNT thotë se është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.

Viktima është vëllai i figurës së njohur të PD-së dhe njëherësh ish-ambasador i Shqipërisë Vili Minarolli. Lalo mbante mbiemër të ndryshëm pasi ai ishte rritur nga halla e tij, ndërkohë që ishte një intelektual aktiv në jetën publike të Tiranës.

Dy vajzat e Rifat Lalos, hedhin akuza të rënda, ku për mediat janë shprehur se të atit të tyre i ka munguar shërbimi bazë mjekësor. Vajzat u shprehën edhe se u janë kërkuar para që babanë ta nxirrnin nga Infektivi në mënyrë që ta çonin në një spital jashtë vendit. Sipas tyre, kanë prova që vërtetojnë se babait të tyre nuk i janë bërë as skaner dhe asnjë trajtim mjekësor.

Gjendja e tij është përkeqësuar brenda orësh, dhe mbrëmjen e djeshme atyre u është dhënë lajmi se ai kishte ndërruar jetë. Dy vajzat në gjendje të rënduar emocionale bëjnë thirrje që askush të mos shkojë dhe të trajtohet në spitalet publike Covid, pasi sipas tyre nuk ekziston asnjë lloj shërbimi.

Deklarata e plotë nga QSUT

Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon: Pacienti me inicialet R.L ,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)

Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve. I është bërë skaneri ne orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).

Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtëme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në nje shtet tjetër Europian për trajtim.

Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid1 ku mjekja shërbente.

Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo. Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.

QSUNT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën. Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi cdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre. Gjithashtu garantojme që stafi ynë mjeksor do bëjë të pamundurën, ashtu sic ka vepruar per gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm.

Deklarata e vajzave të Rifat Lalos

Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, na thanë që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë. Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilnin, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe tghoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty.

Ishim me mëdyshje nëse duhet ta nxirnim apo jo nga spitali, kërkuam që ta çonim në një spital tjetër. Babai thoshte jepni pare dhe më nxirrni nga këtu. Nuk kam për tia falur kurrë vetes këtë, që e shtruam babanë këtu. Kurrë më asnjë të afërm në publik, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tonë.

Na tha se e kishin lënë në një karrige, nuk e prekte njeri me dorë, babai ynë ishte intelektual. Kemi shumë pikëpyetje, babai ynë ka ikur me brengë në zemër, na iku tak fak. Ne kemi burim nga brenda që nuk i është bërë skaner, ju lutem mos sillni prindërit këtu, të afërmit, e kemi të provuar që nuk i është bërë asgjë.

SHKARKO APP