E mori virusin tek 313 dhe infekton prindërit. Nis hetimi, rrezikon burg
Përhapja e Covid-19 në burgun 313 në Tiranë, është një vatër e frikshme që do të prekë fatkeqësisht edhe të tjerë. Një çift të moshuarit në fshatin Vele të Mirditës janë identifikuar me Covid-19 pas kryerjes së analizës në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Të moshuarit janë infektuar nga djali i tyre, i cili është punonjës në burgun 313 në Tiranë. Kryeministri Edi Rama në një reagim të ashpër për papërgjegjshmërinë e djalit që solli rrezikun për jetën ndaj prindërve, thotë se ka nisur hetimi dhe paralajmëron deri në ndëshkim me burg për punonjësin e burgut.
“U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!! Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?! Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve. Stop me hilet e me karagjozllëqet, sepse mund të bëheni mos o zot, vrasës të njerëzve tuaj më të shtrenjtë”.
Edhe pse në burgun 313 ka 13 raste me Covid-19, nga Ministria e Drejtësisë nuk ka një reagim zyrtar nëse mes tyre janë edhe të dënuar, apo vetëm personel i burgut. Një italian i dënuar i arrestuar në Durrës si pjesë e organizatave mafioze, ishte i pari i identifikuar me Covid-19. Sipas informacioneve te sigurta qytetari italian nuk ka pasur asnje kontakt me njerez nga jashtë burgut që nga data 4 mars dhe vizitat zyrtare janë pezulluar që nga data 11 për të gjithë.