”E premtja e zezë”, dinamika e shpë*thimit që u mori jetën babë e bir. Deputeti rëndë në spital

Ora 15:37 minuta do të shënonte një shpërthim të fortë në Lushnje. Babë e bir humbën jetën ndërsa shtatë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mes tyre deputeti i PS-së, Bujar Çela.

Për shkak se shpërthimi u dëgjua në të gjithë qytetin, policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Atje mbërritën edhe forcat e zjarrfikësve dhe të urgjencës. Rreth dy orë më vonë doli vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, që sqaroi se çfarë ka ndodhur. Dyshimet paraprake janë se shpërthimi është shkaktuar si pasojë e kontaktit të një vinçi me linjën e tensionit të lartë.

Ministri Balla tha se si pasojë e këtij kontakti dhe të shkarkimit të rrymës me tensionin e lartë, ka shpërthyer një mjet eskavator që po bënte punimet në zonë. Për shkak të djegieve të rënda ka humbur jetën Roland Hoxha. Ai ishte brenda vinçit që po bënte punimet.

Më tutje, fokusi ishte tek të plagosurit. Mes tyre ishte edhe djali i Rolandit, Elidon Hoxha. Ai ka qenë pranë të atit kur ka ndodhur ngjarja. Për shkak të dëmtimeve të rënda, i riu u nis drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë më të specializuar, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë dot. Ai ndërroi jetë duke e çuar në dy numrin e viktimave nga kjo tragjedi ndërsa shtatë mbetën të plagosur.

Drejt Traumës u nisën edhe dy pacientë të tjerë në gjendje më të rëndë mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. Ministri Balla tha se ai ka marrë një plagë për shkak të shpërthimit që është izoluar nga mjekët në Lushnje, por për një trajtim më të specializuar u nis drejt kryeqytetit. Klan News thotë se ai është bashkëpronar në biznesin ku ndodhi ngjarja.

Ministri tha se Policia e Shtetit prej momentit të parë po zhvillon të gjitha hetimet për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë rast. Kur u pyet nëse në vendngjarje ka pasur depozitë me oksigjen që është përpjekur të ngrihet nga ana e vinçit, ministri tha se hetimet do ta vërtetojnë këtë. Banorë që kanë qenë pranë magazinës tregojnë edhe se vinçi ka qenë duke ngritur bombolat e oksigjenit që po përdoreshin për saldim.

SHKARKO APP