E rëndë në Skrapar, fëmija 1 vjeç e gjysmë bie në kazanin e rakisë, niset në gjendje kome drejt “Traumës”
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Skraparit. Një fëmijë vetëm 1-vjeç e gjysmë ka rënë në kazanin e rakisë në oborrin e shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Therepel të rrethit të Skraparit.
Mësohet se fëmija 1 vjeç e gjysmë ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, kur ka shkarë dhe është rrëzuar në gropën ku babai i tij po ziente rakinë. Si pasojë, fëmija i mitur ka pësuar djegie të rënda dhe fraktura të shumta në të gjithë trupin.
Ngjarja aksidentale ka tronditur jo vetëm familjarët e djalit, por të gjithë banorët e fshatit Therepel, të cilët kanë ndihmuar familjen për ta transportuar fëmijën drejt Spitalit të Skraparit.
Largësia e madhe e fshatit me Skraparin ka bërë që fëmija të mbërrijë në duart e mjekëve në gjendje kome. Mjekët e Spitalit të Skraparit e kanë transportuar të miturin me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, duke deklaruar se gjendja e fëmijës ishte mjaft kritike.