E rrëzon dot Basha me 8 dhjetor, Ramën?

 

Partia Demokratike ka zgjedhur javët e para të muajit dhjetor për të nisur protestat kundër mazhorancës aktuale. Dy ditë më parë nga Vau i Dejës, kreu i PD-së njoftoi 8 dhjetorin si datën e marshimit opozitar në Tiranë. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, shkoi dhe më tej në motivet e kësaj proteste duke dhënë sinjale kërcënuese për qeverisjen aktuale. 8 dhjetori, sipas Bashës, është data për të larguar qeverisjen. “Nuk ka asnjë shpresë se kjo qeveri sjell zgjidhje. Zgjidhja vjen vetëm me largimin e saj. Thirrja jonë për t’u bashkuar me 8 Dhjetor në Tiranë për të nisur marshimin e madh, të dëbimit të këtij regjimi, është mirëpritur nga mbarë qytetarët, anembanë vendit”,- tha kreu i PD-së. Por nga goja e tij nuk mungoi dhe fraza  e fortë, e cila duhet të shikohet me 8 dhjetor, kur lideri i selisë blu tha :Populli do të marrë në dorë fatet e vendit”. Por si do ti marrë? Me stilin e Berishës që e tuste qeverinë kundërshtare duke e bërë të ikte siç iku Fatos Nano në shtator 1998 apo siç ia bëri prapë Nanos në vitin 2005? Cilin stil “marrje në dorë të fateve nga populli” do përdorë Lulzim Basha?

Protestat e Partisë Demokratike priteshin prej kohësh, madje për shumë demokratë duket se janë të vonuara. Basha premtoi se do të niste protestat në muajin maj. Më pas, pushimet e verës bënë që axhenda e selisë blu në rrugë të shtyhej me urdhër të Bashës në muajin shtator. Edhe ky afat kaloi dhe në gati 8 muaj, veç protestave në deklarata për mediat, PD-ja nuk mblodhi dot asnjë grup militantësh në shesh. Për një pjesë të demokratëve, pushimi i gjatë i aksioneve në PD lidhej me marrjen e frenave të partisë në dorë nga Basha.Megjithatë, në gjithë këto muaj kur Basha merrej me partinë, duket se më shumë opozitë ka bërë Berisha në Facebook, sesa deputetët e PD-së në aktivitete konkrete. Vetëm dje, një prej themelueseve të PD-së, Eduard Selami tha disa gjëra që për Bashën nuk duhet të kenë tingëlluar mirë. Sipas tij, “Basha nuk po frymëzon dhe nuk ngjall shpresë”.

Nisur nga këto kritika që kanë filluar t’i bëhen në mënyrë të hapur në PD, së fundi Basha ka zgjedhur të zbresë në shesh. Në nisje të dimrit dhe në dhjetorin e ftohtë. Por varet sa i vendosur do të jetë Basha për të rrëzuar Qeverinë Rama, pas takimit në Vjenë! Nëse e ka seriozisht si dhe nëse i fut motorit të PD-së “karburantin berishian” e merr përpara qeverinë Rama-Meta. Në të kundërt do të mblidhen mijëra njërëz e do të dëgjojnë fjalitë  “Ta shporrim Ramën!”, por pas mitingut kryeministrin nuk e shqetson asgjë e ai do të bëjë ironi me “shqupin” e PD-së. Apo nuk është mjeshtër Rama për sarkazma!

Zgjedhja e datës 8 dhjetor ka një simbolikë të veçantë për Partinë Demokratike. 8 dhjetori i vitit 1990 është nisja e protestave studentore kundër regjimit komunist.. Me këtë protestë, PD-ja po kërkon të përsërisë dhe njëherë lavdinë e saj të dikurshme që solli rrëzimin e regjimit. Jo rastësisht, në fjalimet e Bashës ka nisur të përdoret shprehja “regjim dhe diktaturë”. Ndryshimi është se në atë kohë në opozitë me sistemin ishte Azem Hajdari dhe të tjerë, sot në PD  kryetari Basha mburret me Greta Koçin, Ervin Salijanjin dhe disa ish-ministra që më shumë kanë hall si të shpenzojnë lekët që bënë në pushtet sesa të ringrejnë partinë. Basha ka nevojë për shpirtin e vjetër luftarak të Berishës dhe për fytyra të reja që nuk ngjasojnë me shumë ish-ministra të PD-së që rënkojnë nga thasët me euro në shtëpi. Lulzim Basha me 8 dhjetor ka në dorë fatin e demokratëve, por dhe atë personal.

Nisja e protestave ndodh dhe në disa momente kryesore për reformat. PD dhe PS pritet të kalojnë për votim ligjin e dekriminalizimit me konsensus. Ndërkohë që SHBA dhe BE u kërkojnë që po me konsensus të kalojnë edhe reformën në drejtësi. Në momentin që kërkohet një bashkim votash për reformën më kryesore të 25 viteve të fundit, me protestat pritet të shkëputet çdo kontakt mes PD dhe PS. Nisja e protestave dhe thirrjet për marrje të fateve në dorë nga vetë populli, duken edhe si nisja e një bojkoti të gjatë të opozitës, e për pasojë edhe prishja e pazarit të Vjenës .

Mbetet të shikojmë nëse 8 dhjetori do të jetë një grumbull njërëzish, ndoshta me mijëra, apo një ortek demokrat. Nëse do të flasë edhe Sali Berisha në miting atëhere ka barrikadë antiRama nga demokratët. Por edhe pak ditë mbeten nga data 8 dhjetor, ku do të shikohet, forca e PD-së me kryetarin Basha.

Vetëm fjalime pa veprime nuk e ngrohin shpirtin demokrat që ka 25 vite që flakëron, por që po fiket se eshkat shabaniane janë fikur.

 

 

 

 

SHKARKO APP