E vërteta e vizës amerikane, Fatmira Hajdari tregon edhe mesazhin që i erdhi Rudinës
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në fuqi shkarkimin e ish-gjyqtares së Apelit, Fatmira Hajdari për pasuri të pajustifikuar si dhe mosdeklarimin e revokimit vizës amerikane. Në një prononcim për gazetaren Beklie Koltraka, e veja e Azem Hajdarit, thotë se kërkesa e saj nga KPA nuk është shqyrtuar.
“Shkak për shkarkim është “mos komunikimi i revokimit të vizës” nga Ambasada Amerikane, se kriteri kryesor është figura, dy të tjerat janë plotësim formulari, në një kohë që shteti ka qenë i tëri Informal. Prandaj i qëndroj fjalëve, dua të me vihet në vend dinjiteti im, që është kriteri i figurës. Dy kriteret tjera s’më interesojnë fare, sa e pasur dhe e varfër jam e dinë të gjithë ata që më njohin dhe ata që drejtojnë sot politikën, dhe ata qe e kanë drejtuar më parë, dhe vetë Ambasada. KPA, s’ka bërë gjykim as shqyrtim fare, për këtë shkak. Kërkoj dinjitetin tim personal dhe familjar, dhe Kombëtar, se ish-bashkëshorti im i përket Shqipërise, jo mua më, asgjë më tepër”.
Teksa ka theksuar se viza i është revokuar dhe jo refuzuar, Hajdari nënvizoi se në një email që ambasada e SHBA-së i ka kthyer së fundmi vajzës së saj, ish-deputetes Rudina Hajdari lë hapësirë për “dritë jeshile” në marrjen e vizës në një tjetër aplikim.
”Ambasada amerikane i kishte kthyer një përgjigje Rudinës, kur i kërkova përsëri datën e revokimit të vizës. Në email i shkruanin se “është bërë një procedurë si për të gjithë të tjerët. Nuk është e vetmja, por ka të drejtë që të bëjë përsëri kërkesë dhe ta marrim në shqyrtim pranimin dhe dhënies së vizës”, shtoi Fatmira Hajdari.