“E vrarë dy herë”, historia e Klauida Balës frymëzim për femrat e dhunuara
Klaudia Bala, mund të ishte viktima e rradhës. Plaga e thellë e shoqërisë shqiptare, e veshur me kanunin që ende frymon në çdo anë, paçka se prej vitesh kërkojmë të jemi si Europa. Këtu vajza quhet pronë e familjes, dhe nëse refuzon zgjedhjen e tyre, fati yt është i destinuar të kalojë në dy porta: Pranimin ose plumbin.
Por, Klaudia e vendosur në fund të humnerës, zgjodhi jetën duke u kaçafytur pas një rreze dielli, që e mbante gjallë në kafazin e krijuar nga familja dhe nga paragjykimet e shoqërisë. Përpos se e rrethuar me dhunën fizike dhe gjendjen e rëndë psikologjike, që mund ta çonin në viktimës e rradhës, ajo zgjodhi jetën, dhuratën e shenjtë që të vjen vetëm një herë. Duhet thënë se në Shqipëri, çdokush mund të ketë dhe të gjejë një armë, dhe mund të vrasë pa u menduar dy herë.
Rasti i Klaudias nuk është i pari, e fatkeqësisht nuk do të jetë as i vetmi. Shtypi në Shqipëri, vijon të pasqyrojë ngjarje të trishta e të rënda, sesi jeta e një femre vlen sa një fjalë e thënë “jo”. Rastet janë të frikshme, si ai i ekzekutimit të gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti, si i vrasjes së një vajze të re pse refuzoi lidhjen me një person që nuk e dashuronte, si i masakrimit të vajzave pse kërkojnë të ndalen, janë pasqyrimi i një gjendje ku ndodhet shoqëria shqiptare, ku klithma për të ikur është e madhe. Këtu, në Shqipërinë e vogël, si formë të parë të zgjidhjes meshkujt kanë vrasjen, e më pas analizën se si mund të ishin zgjidhur konfliktet, mosmarrëveshjet. Jeta këtu është në duart e një krimineli, vendi nuk ofron siguri, nuk ka mbrojtje edhe kur ka denoncime.
Rasti i Klaudia Balës bëri jehonë në rrjete sociale, pasi na vuri të gjithëve përpara pasqyrës duke i përsëritur vetes pyetjen: Ja vlen të jetohet në Shqipëri? Përgjigjen na e ka dha historia e 27-vjeçares.
Historia e Klaudias është e ngjashme me atë të mijëra historive të vajzave në Shqipëri. Martesa me një person që ta gjen familja, e përplasi pas një muri, e pa shpresë, muri i saj u bë një shkëmb, nga ky kapërcimi të rrezikon jetën. Vendimi që ajo kishte marrë për të bërë zgjedhjet e saja, u bë shkas i situatës që në familje gjithçka të ndryshonte. Ajo familja nuk kishte përjetuar më parë dhunën fizike dhe psikologjike, por që pabesisht vërshuan dhe hapën krahët drejt 27-vjeçares. Sipas familjes së saj, ajo kishte shkelur rregullat dhe normat e traditës shqiptare, që fati i vajzës vjen në derë ose e gjen familja.
Prindërit e saj i kishin gjetur një person më të madh në moshë se ajo, e ashtu pa u ulur dhe pa pyetur në mënyrë çnjerëzore se vajza e tyre kishte ndenja dashurie karshi një personi tjetër, prenë fjalën për fejesë. Të vetëm shpresë ajo kishte Aurelin, që e njohu përmes rrjete sociale, por ai ishte larg, në Francë. Njohja me të nisi në 2015, ku si dy të rinj që kishin rrjete sociale, gjetën njëri-tjetrin në facebook.
Por, familja e Klaudias nuk e përtypte dhe nuk e perceptonte këtë ndjenjë të fuqishme që ushqente vajza e tyre kishte karshi Aurelit, dhe për ta “dënuar” dhe për ta larguar nga rruga që ajo kishte zgjedhur, gjejnë mënyrën më të keqe që shumë familje shqiptare bëjë, vajzën e tyre e “shesin”, i thejnë ëndërrat. Ajo u bë një kukëll, ku çdo pjesë e saja tashmë i përkiste familjes së saj. Në këtë kushte u gjet I.D, një mashkull i datëlindjes 1978, shumë herë më i madh sesa Klauida, e cila ishte vetëm një 27-vjeçare që kërkonte të ecte në rrugën e saj, por që këmbët ja kishte lidhur familja. Dhuna fizike, psikologjike e vazhdueshme ndaj Klaudias nga familja e saj, vazhdoi për një kohë të gjatë, ajo po përjetonte mankthin më të keq. Jeta e saj u shndërrua si një e burgosur brenda shqipërisë që kërkon Europën. Jeta e saj nisi të ndryshojë, trupi i saj po reagonte ndryshe, po merrte shenja që kurrë më parë nuk i kishte imagjinuar, të nxira nga dhuna, por më shumë dhimbte vendimi për tu fejuar me dikë tjetër, që fare mirë mund të ishte në moshën e babait të saj.
Ditët për të nuk kishin më kalendar, pasi gjithçka ndaloi kur familja mori vendimin për ta fejuar. Nën dhunën e vazhdueshme të familjes, ajo eci drejt një fejese që u kurorëzua me një trup të nxirë nga duart e ashpër të babait të saj, e me sy të nxirë që më shumë vajtonin për këtë burgim, fejesa u lidh me datë 2 shkurt 2017, ditë ku I.D dha fjalën për ta marrë si grua 27-vjeçaren. Të dy vinin nga shtresa sociale të ndryshme, nga dy botëkuptime të ndryshme, por që për familjen e saj, 39-vjeçari do të ishte fat i padiskutueshëm dhe më i mirë për të.
Klaudia ra nga shiu në stuhinë e cila nuk kishte dalje. Nga I.D, ajo mori dhunën që po e çonte drejt një fundi, vdekjen. Por Klaudia vendosi që jeta e saj nuk ishte më pak e vlefshme sesa fjala e familjes, që e dorëzuan tek 47-vjeçari. Dhuna ndaj saj arriti në pikën e fundit, fryma po ju ndalte, por me rrobën e gjakosura në trup ajo e denoncoi të fejuarin, por denoncimi as që e ndaloi veprimet çnjerëzore ndaj saj. Për ironi, denoncime të tilla kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë shumë gra e vajza, por që vriten mizorisht. Denoncim në autoritetet përkatëse kishte bërë edhe një gjyqëtare, madje përgjatë 3 vite, por ajo u vra nga ish-bashkëshorti. Ligjen janë, por shumë larg zbatimit. Denoncimet e një vajze, nëne, apo qoftë denoncimi i Klauidës, nuk ndryshoi gjë, por ishte vetë 27-vjeçarja që me forcën që në Francë e priste shpresa për të jetuar, vendosi të ndërmerrte vendimin e madh për të braktisur gjithçka, la pas familjen dhe terrin e përjetuar nga I.D, duke ndërprerë fejesën.
Si një fëmijë që endet rrugëve pasi krahët e bardhë familja ja veshi me të zezë, ajo gjen biletën e shpëtimit. Biletën për në Francë ja siguroi e motra, e në aeroport e priste Arieli, ëngjëlli që e shpëtoi nga vdekja.
Historitë e vrasjeve të vajzave në Shqipëri janë të gjitha të njëjta, ku i vetmi ndryshim është emri. Vritet se nuk pranojnë të zgjedhurin e familjes, vritet se në fund të fundit kërkojnë të jetojnë gjënë më të shenjtë që kanë në botë, jetën. Femra që vriten se nuk ju binden urdhave të familjes, të meshkujve, femra që guxojnë për të pasur një jetë tyren, por që pengohen. Pa pasur faj, femra në Shqipëri në mënyrë barbare dhunohen, përgojohet, përndiqet dhe ndaj tyre plumbat vërshojnë pa hezitim, sikur të ishin objekte, e jo siç janë në të vërtetë, krijuese të jetës.
Ne nga Klaudia mësuam se jeta është një dhuratë që na është dhënë për ta jetuar, e jo për të qenë skllevër të duart e dikujt. Paçka që Klaudia edhe sot e kësaj dite nuk ka komunikim me familjen e saj, ajo vendosi për të mos u bërë viktimë, por heroinë dhe një shembull frymëzimi për shumë të reja, që jeta e tyre luhet në duart e vrasësve.
Redjon Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

