”E zjarrit dhe e vetmisë”, Kristo Pulla sjell në shqip librin e autores greke Lily Mavrokefalou

“E zjarrit dhe e vetmisë” është krijimi më i fundit i shkrimtares greke Lily Mavrokefalou që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Toena”, i përkthyer nga Kristo Pulla.

Ky titull përkufizon më së miri heroinën e romanit historik, e bazuar në një ngjarje të vërtetë të një një vajze patriotike, që pasurinë e saj dhe jetën komode e sakrifikon për çlirimin e vendit të saj Greqisë. Ky botim vjen në shqip jo pa arsye, porse përkon dhe me 200 vjetorin e pavarësisë së Greqisë.

“E zgjodhëm për të qenë një nga dy botimet më të rëndësishme që ne i kushtuam 200 vjetorit të pavarësisë së Greqisë nga Perandoria Osmane”, tha botuesja Irena Toçi. Vetë autorja është e lumtur që vepra e saj u përkthye në shqip, për lexuesin shqiptar.

“Nuk është hera e parë që unë po vij në Shqipëri, mbase ju do iu bëjë përshtypje por unë për herë të parë kam ardhur në vitin 1985. Sigurish që në atë periudhë Tirana ishte një qytet krejt i ndryshëm nga ai që shohim sot. Që atëherë mu krijua përshtypja që populli shqiptar nderonte shumë cilësinë e mikpritjes. Dhe ja që fati i mirë i këtij libri e solli që sonte të ndodhëm sërish pranë jush”, tha autorja Lily Mavrokefalou.

Ky roman historik të fton të kuptosh më shumë se ëndrrat dhe dashuria për gjërat të bëjnë të ndryshosh botën, aq më tepër në një kohë të shkuar kur dukej se asokohe për të bërë revolucionin ishte më e vështirë. Lily Mavrokefalou në fushën e letërsisë debutoi në vitin 1977 me romane historike, dhe po atë vit është vlerësuar më çmimin e parë nga Shoqëria Letrare e Grave.

SHKARKO APP