Edhe FMN shkurton projeksionet – Ndjek Bankën Botërore, ul rritjen ekonomike për Shqipërinë në 3% këtë vit

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu si Banka Botërore, ka shkurtuar ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë gjatë vitit aktual.

Projeksionet e sapo publikuara në “Projeksionet ekonomike globale” flasin për një normë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë këtij viti, në vetëm 3%, nga 3.5% që vlerësonte vetë institucioni në Korrik të këtij viti, kur edhe skanonte të gjithë performancën e ekonomisë shqiptare.

Norma e rritjes prej 3% është shumë pranë parashikimit të Bankës Botërore, që flet për 2.9% rritje ekonomike.

FMN nuk jep asnjë arsye për zhvlerësimin e rritjes ekonomike, por në Korrik, kur bëri një tjetër zhvlerësim fliste për prodhim të dobët energjetik dhe ngadalësimin e eurozonës, të njëjtat arsye që shtynë Bankën Botërore të shkurtonte projeksionet për ekonominë shqiptare.

Sa i përket vitit të ardhshëm, FMN nuk ka ndryshuar qëndrim dhe mban të njëjtin projeksion, pranë 4%. Edhe për vitin e ardhshëm vlen i njëjti projeksion sa i përket rritjes ekonomike. Por, FMN, ndryshe nga Banka Botërore nuk ndan të njëjtin qëndrim sa i përket normës së inflacionit.

FMN projekton një rimëkëmbje të lehtë gjatë vitit të ardhshëm, në 2%,  ndërkohë që Banka Botërore, vetëm pak ditë më parë parashikonte një “kërcim” të çmimeve të konsumit, në 2.7% rritje në 2020. /Scan

SHKARKO APP