Edhe kaosi kaq e pati. Demokratët ”harrojnë” aksionin parlamentar, Berisha i justifikon
Kaosi i nisur më 6 nëntor për të mos lejuar normalitetin duke bllokuar komisionet dhe seancat plenare, duket se është harruar nga jo pak deputetë e Sali Berishës. Kalimi i mbledhjeve të Komisioneve online u cilësua e paligjshme nga demokratët, që shpjeguan se kjo procedurë mund të aplikohej vetëm në raste emergjencash apo situatash të jashtëzakonshme.
Bujar Leskaj, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Ina Zhupa e të tjerë kanë qenë të pranishëm në komisionet online. Rasti i fundit ishte Edmond Spaho, i cili nuk tha asnjë fjalë, por mori pjesë në votim duke u shprehur kundër projektbuxhetit 2024. Para tij, shumë deputë të të tjerë kanë qenë të pranishëm në komisionet online, disa duke kundërshtuar mbledhjet online, të tjerë kanë heshtur.
Për këto lëvizje, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët u mundua të justifikonte deputetët e tij, por nuk dha detaje shpjeguese. “Këta kanë shkuar të programuar, nuk kanë shkuar për kuorumin, kanë shkuar me qëllim tjetër”.