Edhe nëse lëviz në oraret e lejuara por s’ke autorizim, të hiqet patenta për 3 vjet dhe të merret mjeti
Rreth 70 mijë qytetarë në të gjithë vendin kanë aplikuar në faqen online të policisë së shtetit për të marrë leje për lëvizjen me automjete në fashat e orareve që nuk lejohet qarkullimi.
Kërkesat janë nga më të ndryshmet, që nga bizneset e deri te hallet personale.
Sipërmarrësi Gentian Cane në një lidhje me skype për “Arena” në Rtv Ora thotë se situata është kaotike.
Referuar përvojës personale thotë se marrja e autorizimit është shumë e vështirë dhe se për urdhëresat e njëpasnjëshme ndonjëherë nuk është e informuar dhe vetë policia.
Edhe vetë zyrtari i policisë rrugore Mit’hat Tola pranoi se ka pasur vonesa.
Cane: Për masat dhe urdhëresat e marra ditë pas ditë çdo njeri është ndjerë i papërgatitur. Edhe vetë punonjësit e policisë nuk janë të informuar në kohë.Është moment kaotik. Oraret ndoshta janë të mjaftueshme por pajisja me dokumentacionin për të lëvizur ka qenë shumë e vështirë. Nuk kam marrë përgjigje me emailin e parë dhe më tej, kam shkuar dhe fizikisht me administratorin. Kur del urdhri duhet ta marrin qytetarët. Brenda fashës duhet të ketë mirëkuptim policia që edhe ata që nuk kanë dokument të kenë mundësi të lëvizin.
Tola: Na zuri papritur të gjithëve. Nuk kishim kohën që të ngrinim struktura të reja. Po punojmë me kapacitetet që kemi. Autodeklarimi këto dy ditët e fundit na ka ndihmuar. Personi që është biznesmen qarkullon dhe jashtë orare me autorizim.
Cane: Nëse një qytetar brenda fashës së qarkullimit por nuk e ka dokumentin i hiqet patenta për tre vjet?
Tola: Po dhe i bllokohet dhe mjeti.
Cane: Urdhëresat janë urdhëresa. Ndihma më e madhe është sensibilizim më i madh, urdhëresat të jenë transparente për gjithë qytetarët. Për dy leje për dy mjete kemi humbur shumë kohë. Në kohën që humbëm mund të ishim pjesë e një pasojë.