Edhe sa kohë i duhet Edi Ramës, Sandër Lleshaj?
Nga Bardh Spahia
E marta e 8 dhjetorit të këtij viti, 30-vjetori i Lëvizjes Studentore, që tashmë shënjohet si Dita e Rinisë, erdhi me një lajm tronditës. Një 25-vjeçar ishte ekzekutuar nga Policia, pasi, i gjendur në rrugë në orarin e ndalimit policor, pas orës 1 të mëngjesit, kishte tentuar t’u ikte policëve, që kërkonin ta ndalonin. 2 plumba policorë ishin derdhur ndaj tij, në kurriz, teksa po u ikte uniformave blu, duke i marrë jetën në moshën 25-vjeçare.
Natyrisht që pyetja e parë është se si mundet një polic të arrijë deri aty sa të “përtojë” të zbatojë ligjin e të bëjë ndjekjen me vrap ose me makinë, siç ia kërkon protokolli i punës, por vendos që ta “ndalojë” një bashkëmoshatar civil, me plumba pas shpine?
Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe shqetësuese:
Së pari është shembulli i dhunës që Edi Rama jep si Kryeministër prej ditës së parë në karrige, duke u shfaqur hapur mbi çdo ligj e institucion të këtij vendi, e duke mbrojtur me fanatizëm këdo nga rrethi i të zgjedhurve të vet, që sillet si ai apo edhe më keq se ai.
Së dyti, është modeli i Policisë së dhunshme, që konstatohet sistematikisht që kur në krye të Ministrisë së Brendshme ka ardhur Sandër Lleshaj, i pagëzuar si “Sandër kimiku”, për shkak se futi përdorimin e gazit lotsjellës, me përmbajtje të dyshimtë e pa kriter në çdo rezistencë qytetare ndaj pushtetit të Edi Ramës. Askush nuk i shpëtoi dhunës policore nën drejtimin e Sandër Lleshajt. Qytetarë e politikanë që protestonin, gazetarë e kameramanë që pasqyronin, burra, gra, nëna, gjyshe e fëmijë, madje edhe kalimtarë e qytetarë në shtëpi e lokale, pa asnjë lidhje me protestën e radhës. Të gjithë ndëshkoheshin pa mëshirë, me shembullin e forcës së pushtetit. Gazi lotsjellës u hidhej edhe brenda nëpër shtëpi. Kanë mbetur si njollë turpi në fytyrën e Sandër Lleshajt e Edi Ramës pamjet e fëmijëve të lebetitur të zonës së Bulevardit të Ri, që u zgjuan një mëngjes herët nga gazi lotsjellës, që iu hodh në banesë teksa flinin, për t’i nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e planifikuara për prishje.
E njëjta dhunë policore e shfrenuar ndaj aktivistëve, që mbronin Teatrin Kombëtar nga shembja! Artistë, gazetarë, intelektualë e studentë u dhunuan e u tërhoqën zvarrë para kamerave nga Policia, që kishte hequr edhe mjetet e identifikimit si në një aksion terrori, teksa intelektualëve u vinte shkelmin në grykë si të ishin kriminelë. Kanë qenë pamje të transmetuara drejtpërdrejt e që tregonin në mënyrë të përsëritur dhunën policore, që bëhej në emër të arrogancës së pushtetit.
Vulën e Policisë mbante dhuna shtazore ndaj një adoleshenti te liqeni, njëlloj për shkelje të orës së karantinës dhe vetëm pasi pamjet u bënë virale dhe shkaktuan indinjatë të gjerë publike, na u shfaq drejtori i Policisë së Shtetit, që në vend të distancimit, merr nëpër gojë me një nivel rruge, nënën e adoleshentit, të cilin policët e tij e kishin rrahur barbarisht në mes të ditës, vetëm sepse po lëvizte me biçikletë në orarin e karantinës.
Në të gjitha rastet, i pari Edi Rama nuk është distancuar nga ato akte flagrante dhune, duke inkurajuar kështu atë kundërvënie të dhunshme të Policisë ndaj qytetarëve, e paparë në asnjë vend demokratik e në mënyrë kaq sistematike.
E në vazhdën e këtij shembulli të përsëritur force, erdhi edhe reagimi i pacipë përballë vrasjes nga një punonjës shteti me uniformë, i një 25-vjeçari, në ditën kur përkujtohej 30-vjetori i Lëvizjes Studentore, që shembi diktaturën 46-vjeçare komuniste e i hapi rrugë pluralizmit në vend. Reagimi i parë në emër të Policisë, pak orë pasi u mësua ekzekutimi i një 25- vjeçari, i qëlluar pas shpine me plumba policorë teksa po tentonte t’u largohej, ishte me përbaltje të viktimës. 25-vjeçari u paraqit si me precedentë penalë e me armë, nga e cila Policia ishte ndjerë e rrezikuar, edhe pse i riu ishte qëlluar në kurriz, pra, teksa po u largohej.
Vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ai që me marrjen e detyrës u pat deklaruar shqiptarëve se fytyrën e tij do ta shihnin në çdo sjellje të padenjë polici, u fsheh, duke reaguar gati 36 orë pas ngjarjes për të mos marrë asnjë lloj përgjegjësie, as si ministër që ka përgjegjësi morale e politike dhe i mori ato publikisht kur iu prezantua në media shqiptarëve, as si ishgjeneral ushtrie, që është përgatitur të mbrojë e sigurojë mbrojtje, as si “intelektual”, i mirëshkolluar siç vetëparaqitet, e as si mirditor, që tipar kryesor ka kodin e nderit.
Të gjitha u zhbënë nën shërbimin e verbër ndaj Edi Ramës, që përveçse e keqpërdori, që prej ditës së parë si ministër, nuk është sekret, se ia ka bërë të qartë, se nuk i nevojiten më shërbimet e tij për planet që ka.
Sandër Lleshaj, i mbetur tashmë pa dinjitet, është vegël qorre peng i humorit dhe skemave të Edi Ramës për të përfituar nga kjo ngjarje dhe po pret vetëm urdhrin e shefit të tij. Fatkeqësisht, ish-gjenerali që erdhi me dorëzim spaletash në krye të Ministrisë së Brendshme, po mbetet deri në fund ushtar i përjetshëm, që zbaton urdhra verbazi, e që pret të sakrifikohet sipas nevojës së shefit të tij, me bilancin më skandaloz që ka pasur ndonjëherë një ministër i Brendshëm në pluralizëm: kthimin e Policisë kundër qytetarëve e jo në shërbim të tyre. Ky është modeli që ushqen vetëm një njeri, që e njohin mirë të gjithë: Edi Rama.