Edhe sirianët refuzojnë Shqipërinë: Jeni vend shumë i varfër
Një shkrim i agjencisë së lajmeve ndërkombëtare AFP tregon se edhe sirianët që kanë parë tmerret e ISIS dhe luftën nuk pranojnë të rrinë në Shqipëri. Sirianët e shohin Shqipërinë si një pjesë të rrugëtimit të tyre drejt Bashkimit Europian, por për ta, ky është një “vend i varfër”, që nuk ia shpërblen rrugën e gjatë e plot mundime larg luftës.
“Shqipëria është zgjidhja e vetme që refugjatët të shkojnë më tej” ka thënë Guuan Belei, refugjati 28 vjeçar për gazetaren e AFP-së. Ai ka mbërritur në Shqipëri në mes të qershorit dhe po qëndron në qendrën e ngritur për ta në Tiranë.
Belei e ka kryer aplikimin për azil, por nuk e fsheh se “njësoj si për të gjithë të tjerët, Shqipëria shihet si një portë hyrëse, pasi Serbia dhe Maqedonia i kanë mbyllur kufijtë”.
“Ka nga ata që kanë frikë nga trafikantët dhe për këtë arsye nisen në këmbë, të udhëhequr nga gps” tregon një 29 vjeçar i quajtur Kasimyaakoum. Sepse “askush nuk do të qëndrojë në këtë vend të varfër, në Shqipëri” shton shoku i sirian, Jaser Alnablis, 22 vjeç.
Për të arritur kufijtë e Shqipërisë i kanë paguar emigrantëve 10 mijë dollarë, por këtu po qëndrojnë vetëm për “të marrë kohë”, sa të gjejnë një rrugë për të vazhduar më tej.
AFP shkruan se të hënën, Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian u takuan të hënën në Bruksel për çështjen e negociatave. Bosnjia, shteti i fundit në rrugën drejt vendeve të BE-së, po përballet me një fluks në rritje të emigrantëve.
Mali i Zi ka nisur të shqetësohet për kalimet në kufirin me Shqipërinë. Por Tirana, që shpreson të hapë negociatat me BE-në, insiston se do të arrijë t’ia dalë, pavarësisht numrit të refugjatëve që hyjnë në territorin e saj.
KOHA JONË SONDAZH

