Edi Paloka: Jemi në limitet e mbijetesës. Ja si rrëzohet Rama!
Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, tha se Shqipëria është në limitet e mbijetesës dhe demokracisë. Në studion e Syri.net, Paloka theksoi se kjo qeveri rrëzohet me të gjitha format.
“Ne kemi marrë një vendim si opozitë, vetëm një qeveri anti-mafia mund të shpëtojë vendin dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët janë të neveritur nga kjo qeveri, ka humbur legjitimitetin që me zgjedhjet e fundit, ndërsa skandalet i dalin çdo moment. Ka vetëm një mënyrë demokratike për ta rrëzuar që është vota, por kjo qeveri nuk lejon të votohet. Rama po i rri larg integrimit, pasi sa më shumë të ofrohet aq më shumë i del hera e keqe. Ne kemi thënë që hapja e negociatave do e demaskojë më shumë këtë qeveri, por ai që nuk do integrimin është Edi Rama”, tha Paloka.
Paloka tha se Rama duhet të shkojë në burg, pasi ka marrë në mënyrë të paligjshme përgjimet që nxorën në dritë skandali Xhafaj.
Sipas tij deklaratat e bëra nga Rama një ditë më parë ishin skandaloze. Sipas tij asnjë kryeministër në botë nuk mund të bëjë hetime private dhe së dyti, kryeministri e ka marrë në mënyrë të paligjshme përgjimin ku implikohet vëllai i Fatmir Xhafajt.
“Ne kemi prej disa ditësh që denoncojmë në kronologji familjen Xhafa. Kjo është një histori që dihet, dhe ëhstë denoncuar fakti se vëllai i Xhafajt është i dënuar me 7 vite e dy muaj për trafik droge. Sot ne kemi vënë Ministër të Brendshëm, një njeri që ka vëllain e dënuar për trafik droge. Skandali i parë dhe më i vogli është që kryeministri e thotë me qetësinë e madhe, që ky është fakt që dihet. Pra ti vure ministër një njeri të vilit i vëllai ka qenë i dënuar. Por dikur Rama e ka mohuar, ndërsa dje tha që ne e dinim. Fakti më i rëndë është se dje Rama mohoi që të ketë lidhje vëllai i Fatmir XZhafës me regjistrimin e kryer. Deklaroi dhe një skandal tjetër, që unë e kam verifikuar privatisht që përgjimi nuk është autentik. Si mund të bëjë verifikime privat kryeministri. Këtu fillon skandali, ai thotë unë e kam verifikuar privatisht. Kjo është shkelje ligji dhe Rama duhet të shkojë në burg, ai dhe prokurorja. Pra ku e mori ai përgjimin. Ata që e kanë sjellë tek PD po të kishin besim tek qeveria e kishin çuar tek qeveria përgjimin dhe jo tek ne. Tek PS ka luftë të brendshme, mes Tahirit dhe Xhafës, ka filluar që tek lojërat e fatit, dihen përplasjet e grupit Tahiri me vëllain e Xhafës. Por këto përplasje nuk kanë lidhje me PD-në”, tha Edi Paloka.
Nënkryetari i PD-së, tha se Edi Rama drejton me të inkriminuarit, pasi ata i duhen. Paloka tha dje se nuk e mbrojti Sajmir Tahirin, në fakt jo vetëm e mbrojti e të gjitha mundësitë, por sulmoi edhe prokurorët.
“Kemi të njëjtin skenar, si në rastin Tahiri ashtu edhe në rastin e Xhafajt. Në fillim ankohen, japin emocione te njerëzit duke përmendur familjet, fëmijët, pastaj kalojnë tek kërcënimet, dhe në fund i plas bomba në dorë. Ia thashë dje Ramës që do pendohet shpejt për këto deklarata, pasi historia me Xhafajn sapo ka nisur. Intervista e sotme është vetëm maja e ajsbergut, pjesa tjetër që lidhet që nga themelimi i këtyre klanese. Fatmir Xhafaj është në atë pozicion sepse është Edi Rama Kryeministër, siç ishte Saimir Tahiri, siç janë kryetarët e bashkive, ministrat e inkriminuar”, tha Paloka.
Nënkryetari demokrat tha se historia këtu është e ngjashme me atë që ka ndodhur në Maqedoni.
“Xhafaj duhet të japë dorëheqjen, është direkt i inkriminuar ligjërisht, jo moralisht. Ka marrë në mbrojtje të vëllain gjatë gjithë kohës, ka falsifikuar ligjin vetëm për këtë. Kushdo që vazhdon t’i dalë në mbrojtje Edi Ramës me telekomandë, thotë gënjeshtra. Ne kemi kundër Edi Ramën, por sot ai ka në dorë gjithçka, përfshi edhe Prokurorinë”, theksoi ai.
Edi Paloka, tha se ata që do të guxojnë të shkelin ligjin në raport me dëshmitarin do të përgjigjen personalisht. Paloka tha se deklaratat e Ramës për “burg, burg, burg” nuk trembin sot askënd.
“Ai tenton të trembë shqiptarët, t’i mbajë nën thundër me dhunë, në mënyrë që kur të vijnë zgjedhjet e ardhshme, ose të përdorë dhunën ose t’i blejë sikundër bëri më 25 qershor”, tha Paloka.
Sipas tij, me këtë qeveri nuk shkohet askund. I pyetur për qeverinë anti-mafia, Paloka tha se kjo qeveri duhet rrëzuar dhe mafia në këtë vend është Edi Rama.
“Qeveria anti-mafia është qeveri anti-Rama, pasi të fusësh Ramën në qeveri është njëlloj si të kesh mafian në qeverisje. Marrëveshjen e 17 majit na detyruan ta bëjmë, por ajo që u bë nuk ndodh më. Nuk do të ketë një qeveri me Edi Ramën”, tha Paloka.
KOHA JONË SONDAZH

